Rama, kritika kryebashkiakëve: Qeverisja, jo uniforme. Mos u kujtoni për qytetarët vetëm në fushatë

Nga A2 CNN
22 Korrik 2022, 10:55 | Politikë
Rama, kritika kryebashkiakëve: Qeverisja, jo uniforme. Mos u kujtoni

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në një takim kryetarët e bashkive të vendit, ku në fokus të fjalës së tij ishte menaxhimi i pushtetit vendor. Kritikat e kryesocialistit nuk munguan, ku pjesë të tyre bëri edhe Bashkinë e Tiranës dhe Durrësit sa i takon programit të rindërtimit. 

Slogani socialist “S’ ka kohë për pushim” duket se i prishi fundjavën kryetarëve të bashkive. Ditët më të nxehta të këtij sezoni veror, Edi Rama i mblodhi në Pogradec, për të raportuar e për t’i kritikuar se si kanë punuar përgjatë këtyre viteve.

“E vërteta është që qeverisja jonë në të gjithë territorin nuk është uniforme në aspektin e cilësisë. Çfarë vlere ka t’i shkosh qytetarëve kur fillon fushata t’u thuash “jam zëri yt, jam veshi yt, jam goja jote, më jep votën se unë jam i yti, do jem me ty, ti me mua”, kur ndërkohë ti je kryetar bashkie aty e ti nuk garanton që çdo ditë t’ju hapin derën e t’ju ulen në gjunjë njerëzve”, tha Rama.

Këto kritika, kreu i qeverisë edhe i detajoi kur bëri krahasimin se si është menaxhuar procesi i rindërtimit: “Mos vallë erdhën nga Gjermania apo erdhën nga Franca nëpunësit e Bashkisë së Shijakut, që Bashkia e Shijakut është bashki kampion, ndërkohë që dy bashki të mëdha, Tirana dhe Durrësi, kanë çfarë të mësojnë nga Bashkia e Shijakut”. 

Shqipëria tanimë ka sfida të tjera përpara, siç janë bisedimet për anëtarësim, ku kryeministri nënvizoi se pjesë e këtij angazhimi është edhe pushteti vendor: “Negociatat nuk janë një shëtitje në lëndinë, janë një e përpjetë shumë e thepisur, me sfida të jashtëzakonshme, me kërkesa shumë strikte dhe shumë të forta dhe me detyrime që përbëjnë një barrë të madhe për secilin dhe për secilën që ka një funksion publik, qoftë si i zgjedhur apo e zgjedhur apo qoftë si i besuar në të gjithë piramidën e administratës shtetërore”.

Kritikat e Ramës nuk munguan as për menaxhimin e plehrave në territor, ku kërkoi angazhim maksimal nga të zgjedhurit socialistë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos