
Më pak se tre muaj para zgjedhjeve vendore, qeveria zyrtarizoi vendimin e njoftuar më herët nga Kryeministri Rama, për të rritur pagën minimale me 6 mijë lek. Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj pohoi se ky vendim që do të nisë zbatimin nga 1prilli, është marrë për ta bërë Shqipërinë konkurruese në rajon dhe jo për qëllime elektorale.
“Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u mor sot vendimi për përcaktimin e pagës minimale, e cili shkon nga 34 mijë lekë në 40 mijë lekë. Kjo pagë i atribuohet si sektorit privat edhe atij publik. Çdo punëmarrës dhe punëdhënës është i detyruar të zbatojë vendimin e pagës minimale që nga data 1 prill. Që do të thotë që në pagën që punonjësit do të marrin më muajin maj do të jetë e reflektuar rritja”, tha ajo.
Qeveria ka miratuar edhe një tjetër vendim për subvencionimin e rritjes së kostos së kontributeve shoqërore duke filluar nga muaji dhjetor, që shkon në ndihmë të sektorit të bujqësisë, pyjeve e peshkimit, si dhe të industrisë përpunuese. “Është një politikë që do të ndiqet në vijimësi nga qeveria shqiptare edhe për vitet në vijim, për të gjitha rritjet të pagës minimale të cilat do të jenë më të larta se sa rritjet normale që kanë qenë të zbatuara vitet e kaluara”, tha Brahimaj.
Edhe ushtarakët do të përfitojnë rritje page, skemë që sipas Ministrit të Mbrojtjes do të vijojë edhe në të ardhmen. “Qeveria ka vendosur rritje të pagës prej 7%, hyn në fuqi menjëherë nga data 1 mars për të gjithë ushtarakët. Nga ushtaraku bazë deri në gradat më të larta. Çdo vit do të kemi rritje pagash deri sa ushtarakët tanë të keni një pagë mesataren të vendeve aleate të NATO-s. 55 mijë lekë është pagesa fillestare dhe plot 10 mijë lekë të reja që është trajtimi ushqimor”, tha Peleshi. (A2 Televizion)