Pagat fryjnë buxhetin, bashkitë mbledhin gjysmat e taksave në prag të zgjedhjeve

Nga A2 CNN
17 Prill 2023, 16:14 | Ekonomi

Qeveria po arrin të mbledhë më shumë të ardhura se sa plani edhe përgjatë nisjes së këtij viti. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, buxheti i shtetit ka arritur të mbledhë 97.1 miliardë lekë në muajt Janar-Shkurt, gati 10 miliardë lekë apo 10.8% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar

Tatimi mbi të ardhurat personale është zëri prej nga ku po mblidhen më shumë të ardhura, 9 miliardë lekë, në rritje me 27.7%. Kjo ka ndodhur për shkak të rritjes së pagave të nëpunësve nga biznesi privat. Kjo mbështetet edhe nga të ardhurat shtesë të realizuara për kontributet sociale dhe shëndetësore.

Një tjetër zë që po arkëton më shumë në buxhet është edhe tatimi mbi fitimin, nga xhiroja e bizneseve, 22% më i lartë se Janar-Shkurti 2022.

Nga ana tjetër, qeveria duket se po nënperformon tek Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Nëse në 2022-in, rritja e çmimeve e ndihmoi administratën tatimore të mbledhë 260 milionë euro më shumë nga taksa e konsumit, këtë fillimvit parashikimet e qeverisë kanë qenë më optimiste, duke sjellë rreth 4 milionë euro më pak në buxhet.

Analiza mbi mbledhjen e taksave zbulon se në prag të zgjedhjeve lokale, pushteti vendor po mbledh gjysmën e të ardhurave të parashikuara: 2.9 miliardë lekë nga 6 miliardë në planin e buxhetit. 

Ndërsa në kahun e shpenzimeve, qeveria po tregohet më e rezervuar, veçanërisht në investimet publike, që zakonisht në vite zgjedhore përqendrohen në muajt dhe javët para datës së zgjedhjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos