Paketa anti-KÇK, PD: Skeptikë, por nuk padisim në gjykatë ligjet kundër krimit

Nga A2 CNN
6 Shkurt 2020, 15:47 | Politikë
Paketa anti-KÇK, PD: Skeptikë, por nuk padisim në gjykatë

Partia Demokratike shpjegoi se nuk është kundër nismave që luftojnë krimin e organizuar dhe për këtë arsye nuk do ta padisë në Gjykatën Kushtetuese paketën e quajtur anti-KÇK.

“Ne nuk jemi njësoj me Edi Ramën. Ne nuk padisim në gjykatë asnjë ligj kundër krimit të organizuar, siç bëri Edi Rama në vitin 2009 me Ligjin Antimafia. Me Vasilika Hysin dhe Etilda Gjonin të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Edi Rama e ankimoi atë në Gjykatën Kushtetuese me shqetësimin se shkelte të drejtat e anëtarëve të krimit të organizuar”, tha nënkryetari i PD Spaho. 

Spaho theksoi se gjate qeverisjes se PD shkuan prapa hekurave 285 grupe te strukturuara kriminale dhe 18 organizata mafioze. Por demokratet thonë se kanë arsye përse nuk besojnë te lufta ndaj krimit që ka shpallur Qeveria. “Sot, në qeverinë e Edi Ramës dhe të Taulant Balles, ata po fitojnë një nga e një lirinë, sepse drejtori i burgut të Edi Ramës dhe Kryetari i Bashkisë së Edi Ramës kanë dalë garantë për sjelljen e mirë të kriminelit të rrezikshëm, që ka blerë vota për Edi Ramën”, tha Spaho.

“Ky është shqetësimi i vetëm i Partisë Demokratike, i opozitës dhe i shumicës së shqiptarëve, që nuk beson se banda që është sot në qeveri do të luftojë banditët që ka liruar nga burgjet dhe aq më pak t’u marrë pasuritë e tyre. Shqiptarët nuk besojnë se Taulant Balla do të luftojë pasurinë e mikut të vet trafikant droge, Edmond Bego. Apo Edi Rama të urdhërojë hetimin e pasurisë së Saimir Tahirit apo Ermal Hoxhës, bashkëpunëtorit të Olsi Ramës në laboratorin e kokainës në Xibrakë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos