
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kryeministri Rama tha se paketa anti-shpifje do të kalojë për votim të mërkurën në Kuvend, pavarësisht thirrjeve nga brenda dhe jashtë vendit për të marrë në konsideratë sugjerimet e OSBE.
“Keqardhje për ata që lirinë e shprehjes e përdorin për t’u ankuar për mungesën e lirisë; për ata që nxjerrin deklarata pa lidhje fare me ligjin e ri; për ata që çirren për diktat imagjinar mbi mediat dhe për të gjithë bashkë që as nuk e kanë lexuar tekstin”, shkroi Rama në Twitter.
“Projekti do të hyjë nesër për miratim në seancë pas një pune të përbashkët thuajse njëvjeçare me OSBE e i dakordësuar 100% me ekspertët e zyrës së Vjenës. I falënderoj për kontributin e çmuar dhe angazhimin në vazhdim për aktet nënligjore”.
Më herët, në një reagim për A2, Bashkimi Europian i kërkoi Qeverisë që të merrte në konsideratë rekomandimet e OSBE, ndërsa Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Këshillin Europian, Dunja Mijatoviç deklaroi se projektligjet kanë nevojë për përmirësim pasi janë në shkelje të standardeve evropiane. (A2 Televizion)