
Numri dy i socialisteve, Taulant Balla, njoftoi se shumica do t'i rrëzojë dy dekretet e Presidentit që kthejnë për rishqyrtim në Kuvend paketën antishpifje. Sipas tij, përmirësimet qe i janë bërë ligjeve janë certifikuar nga OSBE.
“Ky është hap i rëndësishëm që Shqipëria hodhi për të luftuar dezinformimin si kërcënim për cilësinë e demokracisë”, tha Balla. “Presidenti Ilir Meta, pas urdhrit të Bashës do të kthente mbrapsht përmes një dekreti dy ligjet komponentë të kësaj pakete të parë të betejës me shpifjen. Legjislacioni shqiptar duhet p[përmirësuar sa më shumë për të garantuar fitoren e të vërtetës me shpifjen. Të dyja janë certifikuar tërësisht nga partneri ynë i rëndësishëm, OSBE. Komisioni përgjegjës do t’i shqyrtojë dhe në seancës pasuese, dekretet do të rrëzohen”.
Menjëherë më pas, Presidenti reagoi përsëri përmes rrjeteve sociale, duke publikuar edhe një herë arsyetimin e kthimit të dy ligjeve të paketës antishpifje. “Liria e shprehjes, liria e medias dhe e drejta e informimit, përveç se janë të drejta themelore kushtetuese, janë të lidhura ngushtë me parimin e ndërtimit dhe funksionimit të një shteti demokratik”, shkroi Meta. “Shqipëria dy vitet e fundit ka një përkeqësim të këtyre treguesve, sipas konkluzioneve të organizatave prestigjioze ndërkombëtare të gazetarëve, si dhe të institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë respektimin e lirisë së medias. Ndaj është koha për të reflektuar dhe për të mos ecur me kokëfortësi në rrugën e censurës dhe autoritarizmit, që do të përbënte rrezik për të ardhmen europiane të Shqipërisë”. (A2 Televizion)