
As fatura e lartë financiare dhe as akuzat për abuzime nuk do të ndërpresin koncesionet në shëndetësi. Këtë e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama.
Edhe pse i cilësoi PPP-të modele të mallkuara, Rama tha se pa to nuk do të ishte i mundur përmirësimi i shërbimeve brenda një kohe të shkurtër. "Ky është një aspekt tjetër i një transformimi të madh, që është bërë i mundur falë “modelit të mallkuar” të PPP, por që përndryshe nuk do të ishte i mundur. Si mund të ndërpritet ky program?”, tha Rama.
Kryeministri Rama ka marrë pjesë në inaugurimin e spitalit të ri kirurgjikal në qendrën spitalore “Nënë Tereza”.
Godina e re ka 120 shtretër dhe 7 salla operatore. Çdo vit në këtë shërbim kryhen 9 mijë ndërhyrje në vit dhe 23 mijë mikrokirurgji. Vitin e ardhshëm pritet të përfundojë spitali i ri i sëmundjeve të brendshme dhe ai i pediatrisë po në QSUT.
“Ky është investimi më i madh në 90 vite për kirurgjinë shqiptare. Ky investim çon përpara vizonin tonë për ndërtimin e shërbimeve cilësore përmes modernizimit të sistemit”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Spitali i ri i Kirurgjisë, që mban emrin e kirurgut të njohur Frederik Shiroka, ka kushtuar 8.8 milionë euro, investimi i qeverisë shqiptare nëpërmjet kredisë së Bankës së Këshillit të Europës. (A2 Televizion)