Paloka dhe Bardhi nisin negociatat për bashkimin e grupimeve në PD

Nga A2 CNN
18 Tetor 2022, 16:12 | Politikë
Paloka dhe Bardhi nisin negociatat për bashkimin e grupimeve në PD

Takimi i parë negociues mes dy grupimeve në PD, për gjetjen e një dakordësie që do të mundësonte daljen në zgjedhje me një kandidat të përbashkët, u zhvillua paraditen e së martës. Edi Paloka dhe Gazmend Bardhi evituan si selinë qendrore të PD-së, që preferohej nga grupimi Berisha, ashtu edhe kryesinë e Kuvendit që preferohej nga grupimi Alibeaj.

Ngërçi u zgjidh me një opsion të tretë, tipik të shoqërisë sonë: zgjedhja e dyshes negociatore ishte një kafe larg atyre të bulevardit kryesor të Tiranës, që tërheqin vëmendjen.

Takimi zgjati për më shumë se 1 orë e 30 minuta, por pa rezultat konkret.

Pas bisedës me kolegun e partisë, Paloka u tregua optimist për gjetjen e një formule që do të bashkonte demokratët në zgjedhjet vendore të 2023.

“Ju thashë kur të kemi diçka për ju, do t’ju njoftojmë. Nuk ka dështuar takimi, është vullneti i përbashkët për të dalë më një kandidat”, deklaroi Paloka.

Të dy të mandatuarit pritet që bisedimet e para t’ua përcjellin palëve ku bëjnë pjesë, për të vijuar më tej me takimet e radhës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos