







Fotot e para të marra nga sateliti tregojnë shkallën e shkatërrimit të shkaktuar nga shpërthimi i digës Kakhovka, e cila mban 18.2 miliardë metra kub ujë, në rajonin lindor të Ukrainës, Kherson.
Imazhi satelitor i siguruar nga BBC, i shkrepur në orët e mëngjesit, tregon dëme të shumta në pjesën qendrore të digës dhe në një pjesë të ndërtesës së hidrocentralit në bregun lindor të lumit Dnipro.
Shqetësimi shprehet, në të njëjtën kohë, jo vetëm për centralin bërthamor të Zaporizhisë, por edhe për komunitetet e tjera që do të preken nga plasja e digës dhe do të përballen me kërcënimin e përmbytjeve të mëdha.
Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, rreth 80 qytete dhe fshatra mund të preken nga incidenti.
Një hartë e publikuar nga BBC tregon vendet në rajonin Kherson që janë prekur nga përmbytjet. Në fakt, mund të preken edhe zonat 85 km nga vendi i ngjarjes.
Zemërimi i banorëve të Khersonit
"Një rus i mirë është një rus i vdekur", shprehet Viktor, një banor i Khersonit, në pjesën jugore të Ukrainës teksa hedh sytë nga rritja e nivelit të ujit pas çarjes së digës.
Kujtojmë se Moska dhe Kievi kanë fajësuar njëra-tjetrën për shpërthimin që ndodhi në orët e para të së martës në hidrocentralin Nova Kakhovka, një njësi e përdorur për të furnizuar me ujë në rajon dhe për të aneksuar Krimenë më në jug, por edhe për të ftohur termocentralin bërthamor Zaporizhia, më i madhi në Evropë. (A2 Televizion)