
Tashmë është kthyer në traditë të përvitshme zhvillimi i festave dhe panaireve lokale të fshatrave dhe zonave të ndryshme, me qëllim mbajtjen gjallë të traditave dhe promovimin e produkteve vendase, qofshin ato bujqësore, blegtorale dhe gatimet tradicionale.
Por, përtej këtyre festave, ku gjithçka shkëlqen, sa ndihmohen realisht fermerët dhe banorët e këtyre zonave, duke nisur nga kultivimi e deri te shitja e produkteve të tyre. A mjafton vetëm reklamimi i mallrave të tyre në një ditë të panairit?
“Më mirë ndihmë konkrete sesa panair. Nuk na ndihmon”, thonë fermerët.
Ndërsa të tjerë fermerë ankohen se mungesa e investimeve bazike për bujqësinë, siç janë kanalet vaditëse, bën që aktualisht të punohet vetëm një e treta e sipërfaqes së tokës.
Mesa duket, bashkitë duhet të kthejnë më shumë sytë nga ndihma dhe përkrahja reale e fermerëve, pasi më shumë sesa fermerët, në panaire dhe festa përfitojnë ata që vijnë për të ngrënë e për të pirë dhe natyrisht grupet muzikore që paguhen mirë për të krijuar atmosferë. (A2 Televizion)