
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara foli për mungesë lidershipi nga ana e fuqive botërore dhe ndasi mes komunitetit ndërkombëtar në luftën kundër koronavirusit.
Deklarata e Antonio Guterres erdhi pasi Donald Trump përshkallëzoi luftën e fjalëve me Kinën, duke thënë se Pekini do të bënte gjithçka që ai të humbte zgjedhjet.
“Është e dukshme se ka mungesë lidershipi e se komuniteti është ndarë në një moment kur duhej të ishte më i bashkuar se kurrë. Ka shkëputje të lidershipit me pushtetin. Në shohim shembuj të pabesueshëm lidershipi po që zakonisht nuk janë të lidhura më pushtetin. Shpresoj ta kapërcejmë sa më shpejt këtë problem”, deklaroi Guterres.
Këshilli i Sigurimit prej 15 anëtarësh po përpiqet prej një muaji të negociojë një rezolutë që do të theksojë nevojën urgjente për bashkëpunim mes vendeve në luftën kundër pandemisë dhe thirrjet për një armëpushim humanitar në konfliktet rreth botës.
Një çështje që mbetet e pazgjidhur është se si do t'i referohet rezoluta e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Presidenti amerikan ka ndërprerë financimet për OBSH-në, pasi e akuzon për keqmenaxhim të krizës dhe mbështetje të Kinës, diçka të cilën organizata e mohon.
Kur u pyet nëse ishte i shqetësuar se tensionet mes Uashingtonit dhe Pekinit mund të minonin bashkëpunimin ndërkombëtar, Guterres tha se kontributi i dy vendeve ishte jetësor, dhe se shpresonte që ndasitë të tejkaloheshin shumë shpejt. Gjithashtu, shefi i OKB-së u shpreh veçanërisht i shqetësuar për ndihmën e pamjaftueshëm të komunitetit ndërkombëtar për shtetet më të varfra. (A2 Televizion)