
Në takimin me një pjesë të koordinatorëve të Njësisë nr.10 në Tiranë, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, theksoi se “situata e rëndë e pandemisë kërkon transparencë dhe përgjegjësi”.
“Të gjithë ne, vlerësojmë në radhë të parë përkushtimin e mjekëve dhe i kërkojmë qeverisë të mbrojë jetën e tyre, duke garantuar çdo gjë që është e nevojshme për ta. Opozita ka propozuar masat që duhen për të kontrolluar pandeminë, sipas rekomandimeve dhe praktikave më të mira europiane, ndërkohë që qeveria Rama, jo vetëm shpërfill mendimin e specialistëve dhe opozitës, por për më tepër, e përdor këtë pandemi për luftë dhe interesa politike”, tha Mediu.
“Qindra qytetarë janë në pamundësi për të marrë mbështetjen e nevojshme, janë në pamundësi për të përballuar kostot e ilaçeve dhe mjekimit për COVID-19, të cilat kalojnë mbi 2-3 herë pagën e tyre mujore. Ekonomia dhe papunësia janë prezente në pjesën më të madhe të familjeve shqiptare, ndërsa taksat e shqiptarëve shpërdorohen për interesa korruptive. Situata rëndohet çdo ditë dhe sikur të mos mjaftojnë të gjitha këto, Rama me qeverinë e tij vazhdon politikën antishqiptare, duke ju kundërvënë kërkesave të BE me justifikime absurde. Në këto kushte, opozita në rrugën e saj të ndryshimit duhet të bashkojë shqiptarët kudo që ndodhen, me një program të qartë, duke filluar nga trajtimi dhe mbrojtja e interesit kombëtar, anëtarësimin e Shqipërisë në 4 vitet e ardhshme, vendosjen e shtetit kushtetues, luftën kundër krimit e korrupsionit dhe refomat e thella ekonomike, mbështetjen e biznesit dhe punësimit”, shtoi kreu i PR-së. (A2 Televizion)