Pandemia në Europë: 367 viktima në Spanjë, bilanci më pozitiv në një muaj

Nga A2 CNN
24 Prill 2020, 13:23 | Bota
Pandemia në Europë: 367 viktima në Spanjë, bilanci më

Pas një muaji bilancesh e skenash tragjike, Spanja ka filluar të marrë frymë më lirshëm. E premtja rezultoi një prej ditëve pozitive në luftën kundër pandemisë, ndërsa u raportua numri më i ulët i viktimave.

367 persona humbën jetën në 24 orët e fundit, duke e çuar bilancin total në mbi 22500. Autoritetet thonë se përhapja e koronavirusit është ngadalësuar ndjeshëm, e këtë e tregoi edhe numri i rasteve të reja; gjithashtu më i ulëti në një muaj emergjencë shëndetësore.

Në Gjermani viktimat i tejkaluan 5 mijë, me 227 humbjet e jetëve në 24 orët e fundit. Megjithatë të infektuarit ishin mw pak, krahasuar me ditët e shkuara kur pati rritje të rasteve. Instituti “Robert Koch” paralajmëron gjermanët se kriza nuk ka përfunduar, dhe i fton të zbatojnë me rigorozitet masat e distancimit social. Gjermania ka rihapur dyqanet e vogla dhe shkollat do të fillojnë të mirëpresin nxënësit gradualisht, por nën një protokoll të rreptë sigurie.

Në Britaninë e Madhe, kurba e vdekjeve nis të zbresë për të dytën ditë radhazi, ndërsa të enjten u raportuan 638 jetë të humbura. Covid-19 u ka marrë jetën mbi 18 mijë e700 vetëve në Britaninë e Madhe dhe autoritetet thonë se është ende herët për të lehtësuar kufizimet.

Situata duket më nën kontroll në Belgjikë, vend i cili po përgatitet për rihapje. Çekia gjithashtu lejoi lirinë e lëvizjes, e grumbullimet deri në 10 persona. Megjithatë rregullat e distancimit social dhe mbajtja e maskave mbeten të detyrueshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos