
Qeveria e Kosovës vendosi të ndajë miliona euro për kategori të ndryshme që nuk u përfshinë në pakot e mëparshme të ndihmës, që u aprovuan në luftën ndaj pandemisë koronavirus. Këtë herë është radha e punonjësve të arsimit, zyrtarët policorë, zjarrfikësit, sektori shëndetësor dhe punonjësit social që të përfitojnë shuma shpërblyese për angazhimin e tyre gjatë kësaj periudhe të vështirë.
“Ndahen 3 milionë euro nga 5 milionëshi të cilin e kemi ndarë nga Fondi për rimëkëmbje Ekonomike te Ministria e Arsimit për mbarëvajtjen e vitit shkollor, këto janë mjete të cilat ndahen për shtesën e parë, e cila do të paguhet në muajin shkurt, kjo përfshin të gjithë personelin, i cili është i angazhuar me arsimin primar dhe sekondar, në këtë pikë ndahen 3 milionë euro. Në pikën e dytë për sektorin e sigurisë, përkatësisht zyrtarët policorë ndahen mjete financiare shtesë në shumë prej 700 mijë euro, është fjala për 350 zyrtarë të cilët nuk kanë qenë të trajtuar me vendimin paraprak”, deklaroi ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami.
Në mbledhjen e fundit të qeverisë së Kosovës, u diskutua dhe u miratua edhe draftplatforma vjetore e politikës së inteligjencës dhe asaj të sigurisë. Sa i përket kësaj çështjeje, ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Enis Kervan, kërkoi nga ekzekutivi që të vendosë në listën e organizatave terroriste “Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit dhe organizatën e imamit Fetullah Gylen”, ashtu siç kërkon presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan.
Ministri i qeverisë Hoti tha se këto mund të dëmtojnë rëndë Kosovën, pasi sipas tij, bëjnë krime në mbarë botën. Një përgjigje, edhe pse jo të drejtpërdrejtë, e pati dhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i cili tha se politika e inteligjencës dhe sigurisë së Kosovës, koordinohet me partnerët ndërkombëtarë. (A2 Televizion)