
Pavarësisht masave që dikton pandemia botërore e Covid-19, fundviti ka sjellë një fluks të shtuar të udhëtarëve që vijnë nga Italia drejt vendit tonë. Që nga mesi i muajit dhjetor, tragetet që operojnë në portin e Durrësit, kryesisht me linjat e barit dhe Ankonës, kanë pasur një shtim të ndjeshëm të fluksit të pasagjerëve, duke detyruar të shtojnë edhe udhëtimet vajtje-ardhje në periudha më të shkurtra kohore.
Kështu, në portin e Durrësit, që nga 15 dhjetori e deri më tani, rezultojnë se janë futur në vendin tonë rreth 20 mijë persona, kryesisht emigrantë që punojnë dhe jetojnë në Itali. Ndërsa daljet janë në një numër thuajse dhjetëfish më të vogël.
Shtimin e fluksit e konfirmojnë edhe të dhënat që vijnë nga porti i Vlorës, i cili operon me linjë tragetesh me portin e Brindizit në Itali. Edhe këtu, numri i pasagjereve në këto ditë të fundit të këtij viti ka ardhur në rritje, ndërsa pritet që fluksi më i madh të jetë në dy ditët e fundit të vitit, në datë 30 dhe 31.
Por pavarësisht shtimit të fluksit të udhëtarëve, krahasuar me një vit më parë, sërish shifrat mbeten ende larg atyre të periudhës para pandemisë, kur për festat e fundvitit ktheheshin në atdhe një numër shumë herë më i lartë emigrantësh nga Italia. (A2 Televizion)