
“Komuniteti Shqiptar në Greqi”, me anë të një postimi në Facebook, i kërkoi kryeministrit Edi Rama që t’i kërkojë "falje për presionin që ushtroi ai dhe qeveria e tij për një çështje që sot rezultoi që ishte abuzim mbi të drejtat tona si shtetas shqiptarë që jetojmë jashtë Shqipërisë dhe se shteti amë është i paaftë të na garantojë sigurinë mbi të dhënat tona personale”.
“Pak muaj para zgjedhjeve qeveria shqiptare na kërkoi të gjithë emigrantëve, të deklaronim vullnetarisht vendbanimet tona në shtetet ku jetojmë nëpërmjet platformës e-Albania. Kjo me justifikimin se ishte e domosdoshme për të votuar nga vendet ku jetojmë. Kjo e drejtë nuk na u garantua kurrë. Sigurisht që shumë prej nesh, duke jetuar në perëndim, ishim shumë skeptikë. Ndërkohë, pasi u pa që vetëm një pjesë shumë e vogël emigrantësh po deklaronin të dhënat, nga ana e qeverisë u kërcënuam me sanksione për mosofrim shërbimesh online, shërbime këto që janë jetike për ne për shkak të largësisë nga atdheu dhe pamundësisë për ti pasur ato në kohën e duhur”, lexohet në postim.
“Si për ironi të fatit, pa kaluar viti dashje pa dashje u vërtetua skepticizmi ynë kur këto ditë ka plasur dhe skandali i rrjedhjes së të dhënave personale dhe ekonomike të më shumë se 650 mijë shtetasve që jetojnë në Shqipëri. Sot, Kryeministri shqiptar u kërkoi falje shqiptarëve të prekur nga paaftësia e qeverisë që ai vet drejton. Duke qenë plotësisht në të drejtën tonë dhe ne i kërkojmë sot Kryeministrit, të na kërkojë falje për presionin që ushtroi ai dhe qeveria e tij ndaj nesh për një çështje që sot rezultoi që ishte abuzim mbi të drejtat tona si shtetas shqiptarë që jetojmë jashtë Shqipërisë dhe se shteti amë është i paaftë të na garantojë sigurinë mbi të dhënat tona personale”, shtohet në postim. (A2 Televizion)