Në Itali, “vala e dytë “ për të cilën flasin autoritetet e disa vendeve europiane, si Franca, Spanja dh e Britania e Madhe duket sikur nuk ka ardhur ende. Bilanci i 24 orëve të fundit mbetet e stabilizuar, madje në ulje. Janë regjistruar 1587 raste të reja, me 15 viktima, kundër 24, të ditës së djeshme.
Por në Europë, epidemia duket në rritje eksponenciale. Përtej rastit francez, ku dje u arrit piku i 13 mijë rasteve në ditë, Sot edhe vende si Rusia dhe Hungaria kanë pasur një rritje të madhe rastesh. Në Rusi, pas një ulje të numrave gjatë muajve të fundit, regjistrohen për ditën e dytë radhazi më shumë se 6 mijë raste, kurse në Hungari u shënuan 1 mijë raste për herë të parë nga fillimi i pandemisë.

Ndërkohë në Spanjë, ku në bilancin e fundit u regjistruan rreth 4800 raste, por që javën e kaluar tejkaluan edhe 10 mijë të infektuarit në ditë, shtohen protestat kundër autoriteteve lokale që kanë përcaktuar masa kufizuese të reja. Protesta më e madhe u zhvillua në kryeqytetin Madrid, edhe pse pothuajse të gjithë mbanin maskat dhe mundoheshin të respektonin distancat e duhura.
Në nivel global, padyshim India ofron statistikat më shqetësuese për momentin, ku vetëm ditën e djeshme u regjistruan rreth 92 mijë të infektuar në vendin më të goditur në botë pas Shteteve të Bashkuara. (A2 Televizion)