
Papa Francesku nuk ka harruar pritjen madhështore të katër viteve më parë, kur dhjetra mijëra besimtarë katolikë, por edhe myslimanë dhe orthodoksë i uruan mirëseardhjen në Tiranë.

Në fjalimin e mbajtur gjatë pritjes që kreu i kishës katolike dha në Vatikan në kuadër të ceremonisë të 550 vjetorit të vdekjes të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Francesku përshkroi me tone entuziaste klimën e bashkëjetesës fetare të krijuar në Shqipëri, e cilësuar si “model” për vendet e tjera.

Ndjenja e shqiptarisë, për Papën, “i dha impuls bashkëjetesës paqësore midis njerëzve që i përkasin feve të ndryshme, që me kohën u shndërrua në bashkëpunim dhe vëllazëri”.
Nuk mungoi një vlerësim i qartë mbi figurën e heroit kombëtar. “Pak herë në histori një person i vetëm ka mishëruar në mënyrë kaq të gjerë virtytet e një populli”.

Por Francesku nuk iu shmang as aktualitetit shqiptarë, kur tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e mbajtjes të ekuilibrave sociale në mënyrë që “gjeneratat e reja mos të detyrohen të zgjedhin emigrimin, duke i hequr vendit resurse njerëzore dhe njohuri të domosdoshme për rritjen e tij”.
Pjesë e delegacionit që u prit nga Ati i Shenjtë ishin edhe disa nga yjet e muzikës dhe kulturës shqiptare, ndër to Dua Lipa, Ermal Meta dhe Inva Mula, që më pas dhanë një koncert në teatrin "Argjentina" të Romës. (A2 Televizion)