Papa mbron emigrantët, bën thirrje për paqe

Nga A2 CNN
25 Dhjetor 2019, 13:33 | Bota
Papa mbron emigrantët, bën thirrje për paqe

Papa Francesku i bëri thirrje botës që të lejojë dritën e Krishtlindjeve të përshkojë errësirën në zemrat njerëzore, që, siç tha, çon drejt përndjekjes fetare, padrejtësisë sociale, konflikteve të armatosura dhe frikës ndaj emigrantëve.

Nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit, ku si çdo vit përcolli mesazhin tradicional të Krishtlinjeve, Urbi et orbi, për qytetin dhe botën, Papa bëri apel për paqe në Tokën e Shenjtë, Siri, Liban, Jemen, Irak, Venezuelë, Ukrainë dhe vendet afrikane të përfshira nga konflikti. Një pjesë të fjalimit ia kushtoi plagës së emigranteve, duke drejtuar gishtin nga kushtet çnjerëzore në kampet ku mbahen shumë prej tyre: “Janë padrejtësitë ato që i detyrojnë të kalojnë shkretëtira e dete, të cilat shndërrohen në varreza. Është padrejtësia ajo që i detyron të durojnë forma të paimagjinueshme abuzimi, skllavërimi dhe çdo lloj torture në kampet çnjerëzore të ndalimit”.

Në mesnatë, Papa drejtoi meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit me mesazhin se Zoti i do të gjithë, madje edhe më të këqinjtë. Pa e përmendur specifikisht, Papa iu referua gjithashtu skandaleve që kanë përfshirë Kishën, si abuzimet seksuale me të mitur dhe parregullsitë financiare në Vatikan: “Çfarëdolloj gjëje që nuk shkon mirë në jetët tona, apo në Kishë, nuk do të shërbejë më si justifikim”.

https://a2news.com/2019/12/25/papa-zoti-i-do-te-gjithe-edhe-ata-me-te-keqinjte/

Patriarku latin i Jeruzalemit, Pierbattista Pizzaballa drejtoi meshën e Krishtlinjeve në Kishën e Lindjes në Betlehem, ku besohet të ketë lindur Jezu Krishti. Mesha në qytetin e bregut perëndimor joshi qindra turistë nga e gjithë bota, e u ndoq edhe nga Presidentit palestinez Mahmoud Abbas dhe kryeministri Mohammed Shtayyeh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos