
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i ka bërë thirrje Europës që të mos intimidohet nga “shfaqja e forcës” së presidentit rus, Vladimir Putin, ditën e sotme.
Deklaratat, kancelari gjerman i bëri gjatë një fjalimi të mbajtur në Parlamentin Europian të martën.
“Në Moskë, 2200 km në verilindje nga këtu, Putini ka nxjerrë ushtarët e tij, tanket dhe raketat. Le të mos intimidohemi nga një shfaqje e tillë e forcës”, u shpreh Scholz duke iu referuar paradës së Ditës së Fitores në Rusi.
Scholz vijo të shtonte se ukrainasit janë duke paguar me jetët e tyre për “lajthitjet e shtetit të tyre fqinj të fuqishëm.”
Kancelari gjerman bëri thirrje që BE-ja të jetë e palëkundur në mbështetjen e saj për Ukrainën për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.
Scholz paralajmëroi gjithashtu në një konferencë shtypi me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, se raundi i ardhshëm i sanksioneve të Evropës ndaj Rusisë "nuk do të jetë i fundit" dhe se blloku do të vijojë të diskutojë për masa të mëtejshme.
(A2 Televizion)