
Me tone të ashpra ka reaguar Presidenca pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor në parlament. Përmes zëdhënësit, Tedi Blushi, Presidenca paralajmëron se do të publikojë, të martën e 6 tetorit, emrat e të gjithë atyre që ngritën dorën për izolimin e Shqipërisë deri më 25 prill.
“Zero surprizë nga Kuvendi i Turpit dhe Kokoshkave, që ulin kokën dhe ngrenë dorën. Ka vetëm një fajtor dhe ky është Mister 1 Prilli ose Profeti i Kokoshkave.Të tjerët janë bashkëpunëtorët e tij të rëndomtë, të blerë, të kapur, të shantazhuar e të nënshtruar. Nesër publikojmë emrat e të gjithë atyre që ngritën dorën për izolimin e Shqipërisë deri në 25 prill”.
Presidenti paralajmëron shpartallimin e plotë të këtij komploti , siç e quan ai, të mirorganizuar prej 20 vitesh kundër popullit dhe kombit tonë, për defaktorizimin e shqiptarëve si një popull dhe komb europian.
“Tre milionë shqiptarë do të dinë si t’i përgjigjen këtij provokimi të poshtër, në mënyrë të bashkuar, europiane dhe shqiptare. Askujt të mos i vijë keq për popullin shqiptar.
Nuk jemi bërë për mëshirën e askujt. Do t’i dalim zot vetë vendit tonë dhe do tregojmë se e meritojmë Demokracinë dhe Lirinë.
Nga 25 prilli fillon një EPOKË E RE në Shqipëri.Ajo e sundimit të popullit përmes referendumeve. Vetëm kjo do garantojë sundimin e ligjit dhe fundin e kësaj oligarkie antishqiptare.
Numërimi mbrapsht sapo filloi.
Jetën e japim, por demokracinë dhe lirinë kurrë më!” (A2 Televizion)