Paralajmërimi i Iranit: Fuqitë e huaja të qëndrojnë larg rajonit

Nga A2 CNN
22 Shtator 2019, 14:45 | Bota
Paralajmërimi i Iranit: Fuqitë e huaja të qëndrojnë

“Fuqitë e huaja po kërcënojnë sigurinë në Gjirin Persik dhe duhet të qëndrojnë larg rajonit”.

Kjo ishte kundërpërgjigjja e Presidentit iranian Hasan Ruhani, pas paralajmërimit të Shteteve të Bashkuara se do të dërgojë trupa në rajon. Ruhani tha se forcat e huaja kishin sjellë gjithmonë dhimbje dhe mjerim dhe se nuk duhet të përdoreshin për një garë armësh: “Forcat e huaja mund të shkaktojnë probleme dhe pasiguri për popullin dhe rajonin tonë. Nëse ata janë të sinqertë, nuk duhet ta kthejnë rajonin në epiqendrën e një gare armësh. Sa më larg të qëndrojnë nga vendet tona, aq më të sigurtë do të jemi”.

Ruhani tha gjithashtu se Irani do të prezantonte një inciativë të re paqeje gjatë ditëve në vazhdim në Kombet e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë më shumë trupa në Arabinë Saudite pas sulmit ndaj rafinerive saudite të naftës, që, sipas Uashingtonit dhe Rijadit, është ndërmarrë nga Irani. Mark Esper, Sekretari i Mbrojtjes, tha: “Presidenti ka aprovuar dërgimin e trupave amerikane, të cilat do të angazhohen në operacione mbrojtëse, veçanërisht ajrore dhe raketore. Pajisje ushtarake do të dërgohen në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara, për të përmirësuar aftësinë e tyre për t’u mbrojtur”.

Tensioniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm gjatë këtij viti, pas vendimit të Presidentit Donald Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, që parashikonte kufizimin e aktivitetetve nukleare të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos