
Në Europën Lindore e Qendrore vihet re një rishpërthim i infektimeve me Covid-19, paralajmëron kreu rajonal i OBSH për Europën, Hans Kluge. Sipas zyrtarit të lartë të OBSH ka gjithashtu rritje të rasteve edhe në një sërë shtetesh të Europës Perëndimore.
“Po shohim një rishpërthim të rasteve në Europën Qendrore dhe Lindore. Edhe në shtete të ndryshme të Europës Perëndimore niveli i infektimit është rritur. Ngarkesa e vazhdueshme ndaj spitaleve dhe punonjësve të shëndetësisë ka nxitur solidaritet mes fqinjëve europianë. Megjithatë, 1 vit pas fillimit të pandemisë, sistemet tona shëndetësore nuk duhet të jenë në këtë situatë”, u shpreh Kluge.
Ai shtoi se javën e kaluar, rastet e reja në Europë ishin rritur me 9 perqind, ose gati 1 milionë, duke i dhënë fund një periudhë 6 javore me rënie të infektimeve. Këshilltari rajonal i OBSH Siddhartha Datta, tha se të dhënat e fundit lidhur me vaksinat e Pfizer/Biontech dhe AstraZeneca janë inkurajuese, e mund të çojë në një rivlerësim të intervaleve të dozimit.
“Të dhënat e fundit mbi vaksinat e Pfizer dhe Astra Zeneca janë inkurajuese dhe besoj se do ta na çojë drejt një rishikim të rekomandimeve të mëparshme”, tha Kluge.
OBSH paralajmëron kundër ujdive dypalëshe që mund të minojnë skemën Covax, për shpërndarje të barabartë të vaksinave. (A2 Televizion)