Parashikimet e ekspertëve, humbje dhe ndryshime në industrinë e argëtimit nga koronavirusi

Nga A2 CNN
21 Mars 2020, 20:05 | Showbiz
Parashikimet e ekspertëve, humbje dhe ndryshime në industrinë e

Koronavirusi i ri vazhdon të përhapet në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ndikimi në industrinë e argëtimit ka filluar të ndihet. Filmi më i fundit i James Bond “No Time to Die” shtyu premierën deri në vjeshtë, nga Prilli që ishte caktuar si data fillestare e publikimit.

Sipas Matt Donnelly, kritik i vjetër i filmit për revistën Variety, ky mund të jetë vetëm fillimi i një efekti gërryes në të gjithë industrinë e argëtimit. “Mendoj se koronavirusi ka pasur një efekt të paparë dhe pothuajse të menjëhershëm në argëtim dhe media vetëm sepse pjesa më e madhe e përmbajtjes dhe produktit që prodhojnë këto biznese janë për konsum në masë. Nëse shikoni një vend si Kina i cili në thelb ka bllokuar kinematë e tyre dhe ka inkurajuar tërë popullatën të qëndrojë brenda, humbjet janë domethënëse dhe ato janë të menjëhershme. Unë mendoj se vlerësimet e fundit që kemi, vetëm nga fillimi i verës, Hollywood mund të humbasë potencialisht 5 miliardë dollarë në arkëtime”, thotë Matt Donnelly, kritik filmi.

Por nëse Shtetet e Bashkuara adoptojnë masa të njëjta si Kina, Franca dhe Italia, duke ndaluar njerëzit të mblidhen në turma, nuk janë vetëm kinemadashësit ata që do të humbasin, por edhe aktorët dhe njësitë prodhuese. “Janë grupe masive njerëzish në hapësira të vogla, të mbyllura dhe që mund të prekin gjithçka, nga një skenë në natyrë me 900 figurantë në sfond në një skenë intimiteti, një skenë dashurie mes dy aktorëve. Mundësia e transmetimit është kudo, kështu që unë mendoj se prodhimi fizik nuk është vetëm vatër ku mund të përhapet kjo sëmundje, por gjithashtu e vendos kompaninë në një vështirësi dhe përgjegjësi të madhe”, thotë Donnelly

Parakalimet tradicionale të aktorëve të famshëm për premierat dhe panelet e diskutimit të filmit gjithashtu duket se do të kërcënohen. “I gjithë ekosistemi se si shfaqen këto filma do të duhet të ndryshojë dhe do të ketë shumë eksperimentime dhe vendime në kohë reale”.

Një tjetër fushë e argëtimit që mund të preket janë koncertet muzikore, shumë prej të cilave janë anuluar. “Kjo është një goditje e madhe për argëtimin live dhe kompanitë si ‘Live Nation’ që organizojnë ato shfaqje të mëdha. Coachella, që ajo të anullohet, duhet të kuptojmë se çfarë do të thotë ekonomikisht për atë qytet të vogël të Indios në Kaliforni dhe biznesin muzikor në përgjithësi, që është diçka me të vërtetë e keqe.”

Sipas ekspertit, humbësit e mëdhenj do të jenë parqet e argëtimit. “Në kompani si Walt Disney, 47% e të ardhurave të tyre vjetore vijnë nga parqet e argëtimit, kështu që tani, po shikoni që Disneyland në Shanghai po mbyllet. Nëse, Zoti mos e dhëntë, Disneyland dhe Disney World në SHBA mbyllen, kjo në thelb do të thotë se kompania do të operojë me humbje të gjysmës së fitimeve për të gjithë vitin, gjë e cila mund të zhvlerësojë aksionet dhe gjithashtu të shkaktojë panik”.

Megjithatë një sektor i industrisë së argëtimit mund të përfitojë ndjeshëm nga koronavirusi. “Është pak e sëmurë për ta thënë, por unë mendoj se nëse po merreni me një popullatë që do të mbyllet brenda, padyshim që argëtimi në shtëpi do të kalojë nivele tepër të larta. Unë as nuk mund ta imagjinoj dobinë që kjo do të ketë për vlerësimin e produkteve”.

Donnelly thotë se arkëtimet për filmin Mulan, që ka premierën më 27 mars, do të jetë tregues i qartë i asaj se si ndihen amerikanët të frekuentojnë kinematë gjatë krizës së koronavirusit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos