
Refreni i ambasadores amerikane për reformën që nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo perfekte, por që po jep rezultate, vijoi edhe në 30-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, gjykatë e cila pikërisht nga vetingu i reformës së 2016-ës u zbraz deri te një anëtar. Por Yuri Kim, për herë të tretë në 10 ditë, po flet për njerëz që e kundërshtojnë këtë progres dhe madje po dyfishojnë përpjekjet për ta tërhequr Shqipërinë në të shkuarën, kur gjyqtarë e prokurorë mund të bliheshin e kërcënoheshin e kur qytetarët e thjeshtë nuk besonin se ka diçka të tillë si drejtësia në gjykatë.
“Ju që doni ta tërhiqni Shqipërinë në të shkuarën, duke shpërfillur vuajtjen e qytetarëve, ju them ndaloni! Jepini fund! Koha juaj ka mbaruar. Koha e atyre telefonatave, dërgimit të emisarëve, dhuratave apo kërcënimeve; kërcënimeve edhe me ekspozimin e dokumenteve sekrete, ajo kohë ka mbaruar. Ju që keni gëzuar privilegjet, keni gëzuar imunitetin; keni mbushur xhepat për vete fëmijët dhe miqtë tuaj, jepini fund! Koha juaj ka mbaruar. Është koha të lini qytetarët të jenë vërtetë të lirë”, tha Kim.
Mesazhi për kërcënuesit vlen njësoj dhe për të kërcënuarit. “Ata që bëjnë krim ndëshkohen. Kjo është ajo që Gjykata Kushtetuese dhe çdo gjykatë e prokurori duhet të garantojë. Pushoni së pranuari ato telefonata! Pushoni së pranuari ato dhurata! Jepini fund frikës nga kërcënimet! Bëni punën tuaj!”, tha Kim.
Edhe pse me një gjuhë më procedurale, ndëshkimi i korrupsionit dhe krimit në nivele të larta është kërkesë e qartë e Bashkimit Europian. “Shteti i së drejtës do të jetë përsëri në qendër të vëmendjes, Shqipëria do të ketë mundësinë që ta konsolidojë më shumë reformën në drejtësi. BE dhe vendet anëtare të tij, do të vazhdojnë të monitorojnë nga afër progresin në çështje të rëndësishme si pavarësia e gjyqësorit dhe apo të një historiku të rasteve të goditjes së korrupsionit dhe krimit te organizuar në nivele të larta”. (A2 Televizion)