
Kryeministri Rama kishte ikur pa dëgjuar deklaratat e diplomatëve, por më herët në fjalinë e tij nuk e kurseu shpotinë për atë stil që nuk do gjente vend në radhët e shkruara prej tij.
“Një fjalim kritik mbetet i pakëshillueshëm sa imitimi i diplomatëve që emocionohen publikisht për vendimet e gjykatave. Kështu dhe këtij kurthi do t’i shmangem”.
Por çfarë janë 30 vjet Gjykatë Kushtetuese për kryeministrin?
“U rrah me vaj e uthull gjatë një tranzicioni palodhshmërisht delirant, me vula e vendimesh të disktutueshme dhe shkëlqime deri të lavdishme dhe në ndonjë rast me njolla të pajustifikueshme”.
Për ata që trokasin në dyert e Kushtetueses e kishte kryetarja Vitore Tusha, por kryeministri nuk sheh ende një ekuilibër të artë.
“Gjykata është e vetëdijshme se bezdis me vendimet e saj, duke u kujtuar në mënyrë të vazhdueshme autoriteteve publike e gjykatave ato kufij që kushtetuta u ka vendosur pushtetit të tyre”, u shpreh Tusha.
“Shtrëngohet në debate që janë të penguara nga presioni politik dhe në vendime që pastaj janë drobitëse për ata që përpiqen t’i lexojnë deri në fund. Duke mos e arritur dot atë ekuilibrin e artë që duhet të frymëzojë përmes tejçimit të urtësisë arsyeja e pastër e një gjykate kushtetuese”, tha Rama
Më formalët në takim, presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla që theksuan nevojën për transparencë dhe paanësi.
“Për të mos lejuar asnjë cenim nga asnjë degë e pushtetit”, tha Begaj. (A2 Televizion)