
Prokuroria e Durrësit ka njoftuar se ka krijuar një grup hetimor të përbërë nga prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore për hetimin e plotë të alarmit të ngritur për Kadastrën e Durrësit.
Dje, Artan Lame, tha se gjatë inventarizimit të kësaj kadastre, rezulton se në regjistrat e arkivit mungojnë 730 fletë, 243 faqe janë zëvendësuar dhe 569 faqe janë të dubluara.
Sipas tij, rezultojnë 25 faqe të grisura edhe 1548 faqe bosh.
Prokuroria e Durrësit reagoi ditën e sotme, duke theksuar se ka nisur punën për hetimin e çështjes: “Nisur faktet e bëra publike në media për kontrollin e ushtruar në Kadastrën e Durrësit dhe konstatimin e dëmtimeve në regjistrat e pasurive të paluajtshme të regjistruara në zonën bregdetare të Durrësit si Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon, etj Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 582, datë 01.04.2022 për veprat penale të parashikuara nga nenet 186 e 248 te Kodit Penal. Me urdhër të drejtueses së prokurorisë është krijuar një grup hetimor i përbërë nga prokurore dhe oficerë të policisë gjyqësore për hetimin e plotë të çështjes”. (A2 Televizion)