Partitë e vogla opozitare, bashkë si "grupim politik" për t'u mbrojtur nga PD-LSI

Nga A2 CNN
7 Shkurt 2020, 16:56 | Politikë
Partitë e vogla opozitare, bashkë si "grupim politik"

Grupimi politik është formula që propozojnë aleatët e vegjël të PD, me qëllimin për të maksimalizuar votën përballë peshës së dy partive më të mëdha brenda koalicionit. Ata i kanë prezantuar Lulzim Bashës një draft ku mes të tjerash shpjegohet nocioni i grupimit politik, si sigël e vetme në brendësi të një koalicioni. Shpresa është që të shmanget fenomeni i votave për partitë e vogla që prodhojnë mandate për dy më të mëdhenjtë.  

“Ne po kërkojmë që të kemi mundësinë e krijimit të grupimeve politike brenda koaliconit të madh. Që do të thotë Partia Agrare Ambientaliste nëse ka leverdi elektorale, por edhe ngjashmëri programore me një parti opozitare apo më shumë të mund të bashkohen. Problemi teknik duam që të zgjidhet, pasi teknikisht nuk mund të bëhet sot. Sot je i detyruar të regjistrohesh në 12 qarqe me siglën e partisë tënde”, deklaroi kreu i PAA, Agron Duka.

Përllogaritjet janë qartësisht elektorale dhe çdo mandat që i shtohet një aleati, i ikën një tjetri të koalicionit. Për këtë, Lulzim Basha ka kërkuar kohë. 

“Po bën llogaritë gjithsecili për hesap të vet. Domethënë që nëse ka leverdi besoj se sipas meje është e drejtë që të bëhet”, shtoi Duka.

Ndërsa Dashamir Shehu u shpreh “Kjo është pozitive pasi shkon në të mirë të të gjithë opozitës”.

Eksperiencën e vitit 2017, kur hoqën dorë nga siglat e veta për t’u regjistruar në listat e
PD-së, aleatët e konsiderojnë si gabim nga i cili kanë zënë mend.

“Herën e fundit në fakt nuk u përfaqësuan fare partitë e tjera dhe ky qe një defekt i madh. Mungesa e emrave të partive bëri që shumë nga elektorati të mos shkonte fare të votonte”, sqaron Shehu.

Në draftin me propozimet e partive të vogla bie gjithashtu në sy kërkesa për të ndryshuar sistemin elektoral në proporcional kombëtar me lista të hapura, ndërkohë që kryedemokrati Basha e ka bërë të qartë se preferon mazhoritarin e pastër.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos