
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, shprehet se “Koorporata e Investimeve është një minë me sahat në ekonominë dhe buxhetin e një vendi në zgrip të varfërisë”.
“Situatën e mjerueshme të ekonomisë e reflektoi dhe raporti i fundit i S&P që qeveria refuzoi ta bënte publik. Raporti S&P ,i cili tregon shëndetin e financave të vendit si dhe mundësinë për të paguar borxhin që ka Shqipëria, tregon situatën dramatike në të cilën ndodhet ekonomia. Raporti evidenton edhe një herë problemet më akute të ekonomisë sonë: borxhi i lartë i një qeverie që shpenzon për luksin e tepruar dhe oligarkët e oborrit, por jo për shqiptarët dhe nevojat e tyre. Raporti është një dëshmi që tregon e bardhë mbi të zezë se ekonomia informale është e vetmja ekonomi në Shqipëri. Se euroizimi i tregut vendas nuk vjen si pasojë e tregtisë por si pasojë e ekonomisë së errët dhe kanabizimit”, deklaroi Tabaku.
“Raporti i Standart and Poor’s rivërteton edhe një herë që Shqipëria ka një rrezik që vjen nga PPP-të të cilat po bëhen gjithnjë e më të pakontrollueshme. Qeveria nuk ofron asnjë siguri se do të respektojë tavanin e përcaktuar për pagesën e PPP-ve siç nuk ofron asnjë garanci për të kontrolluar kontratat dhe eficencën e tyre. Ajo që e rrezikon tanimë Shqipërinë është fshehja e borxhit përmes Koorporatës së Investimeve dhe strukturën e dobët të borxhit. Koorporata e Investimeve është një minë me sahat në ekonominë dhe buxhetin e një vendi në zgrip të varfërisë. Siç është paralajmëruar edhe nga opozita, kjo koorporatë nuk ka për qëllim mirëqenien e shqiptarëve, por vetëm të disa individëve që nuk prodhojnë dhe as ndihmojnë ekonominë, por, që vetëm centralizojnë pushtete dhe prona në pak duar”, shtoi Tabaku. (A2 Televizion)