
Me javën e 14 të kampionatit në kokë, por me sytë nga përforcimet. Partizani dhe Tirana nuk e shkëpusin vëmendjen nga merkato, për të qëndruar mes pretendentëve për titull. Të kuqtë prezantuan dy afrimet e para të janarit, Stenio Junior dhe Valentino Murataj.
“Kam pasur dëshirë që në fëmijëri të jem pjesë e Partizanit, në ekipin e parë. Duke ditur që Partizani është një nga klubet më të mëdha në Shqipëri, është shumë e vështirë nga moshat ta bësh atë hapin e madh”, u shpreh Murataj.
Ndërsa Stenio Junior theksoi: “Edhe katër vjet më parë Partizani më kontaktoi, por kisha disa probleme dhe kontratë me Shkëndijën, që nuk më lejonte të largohesha pa pagesë. Tani jam këtu dhe ndihem i lumtur, pasi kam ardhur në një klub të madh në Shqipëri”.
Pas heqjes së dënimit nga FIFA, merkato do të vazhdojë. Drejtori i Partizanit, Olsi Rama, deklaroi: “Ja ku arritëm pas kaq kohësh të prezantojmë dy lojtarë të rinj te Partizani. Ka pasur shumë interes për merkaton, këto janë vetëm dy afrimet e para”.
Ndërsa trajneri Ilir Daja u shpreh: “Jemi të kënaqur, pasi shtojmë edhe më shumë potencialin në mesfushë dhe sulm. Jemi në intensitet maksimal pune për sa i përket vëzhgimit të lojtarëve për t’u afruar. Vijmë pas një humbjeje dhe barazimi, por jemi të dytët. Normalisht, nuk më pëlqen vendi i dytë, por në fillim do e firmosja”.
Në Korçë, dueli me Partizanin është jetik për t’u larguar nga zona e rënies nga kategoria. Trajneri i Skënderbeut, Julian Ahmataj, deklaroi: “Në mungesë të lojtarëve që na kanë ardhur, jemi të pakët në numër. Kemi vështirësi, por jam i bindur që lojtarët që kemi në dispozicion do të japin maksimumin për të bërë diçka të mirë ndaj Partizanit”.
Tirana kërkon fitoren e parë pas pesë barazimeve. Te bardheblutë rikthehet mesfushori Jurgen Çelhaka, me klubin që mes zërave për largimin e Muçit, është në negociata për afrimin e bullgarit Ahmed Ahmedov apo Rexhinaldos në sulm.
Olsi Uku, zv.trajner i Tiranës, tha: “Skuadra nuk është në presion, jemi paraqitur mirë dhe kemi zhvilluar ndeshje të mira. Rezultatet do të vijnë, nuk është se jemi në presion. Nga ndeshja e radhës do të jetë kthesa jonë e rezultateve pozitive, e fitoreve”.
Ndërsa mesfushori Jurgen Çelhaka deklaroi: “Gjendja ime është shumë e mirë, jam rikthyer pas një kohe të gjatë. Shpresoj me stërvitje do të arrij aty ku duhet. Titulli? Mendoj se Tirana duhet të mendojë për ndeshjen e radhës. Edhe vjet kështu e nisëm dhe e përfunduam me titullin kampion”.