Partizani shkarkon trajnerin që e shpalli kampion

Nga A2 CNN
7 Qershor 2023, 17:05 | Futboll
Partizani shkarkon trajnerin që e shpalli kampion

Të fitosh titullin kampion te Partizani nuk mjafton. Pas Skënder Gegës në vitin 2019, edhe Giovanni Colella largohet nga drejtimi i stolit vetëm pak ditë pasi festoi trofeun. Lajmi qarkullonte menjëherë pas festës për kampionatin numër 17 në historinë e të kuqve. Spekulimet u përforcuan menjëherë pas largimit të drejtorit sportiv Elton Marinit, i cili ishte njeriu që mundësoi emërimin e trajnerit.

Por tashmë erdhi edhe zyrtarizimi i klubit, nëpërmjet një deklarate zyrtare. “Partizani njofton mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Giovanni Colella, i cili i ka prezantuar dorëheqjen e parevokueshme presidentit Demi. Trajneri largohet nga Partizani pas një viti të suksesshëm ku arriti së bashku me skuadrën objektivin madhor, titullin KAMPION…”, shkruhej në njoftimin e të kuqve.

Ndër të tjera, Partizani theksonte se dera e klubit do të mbetet e hapur për bashkëpunime të tjera në të ardhmen. Por, përpara divorcit nga Colella dhe fjalëve të ëmbla për italianin, në klubin e kuq kanë kohë që përgatiten për të ardhmen.

Duke nisur nga ndeshjet e Champions, skuadra do t’i besohet kroatit me pasaportë gjermane, Tomislav Stipić. Aktualisht, 43-vjeçari drejton Rigën në Letoni, duke regjistruar edhe një ecuri mbresëlënëse me 17ndeshje pa pësuar humbje. Stipić është sugjeruar nga ish-mbrojtësi i Kombëtares, Adrian Aliaj dhe firma e tij pritet në orët në vijim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos