
Një finale që vlen për lavdinë. Një trofe që shërben edhe për pjesëmarrjen në Kupat e Europës gjatë sezonit të ardhshëm. Sfida ndërmjet Fiorentinës dhe West Ham në Conference League ka shumë të përbashkëta.
Të dyja skuadrat e kanë fituar trofeun e fundit në turnetë e UEFA-s në vitet ’60. Gjithashtu, si Fiorentina, ashtu edhe West Ham e mbyllën kampionatin jashtë zonës europiane, dhe triumfi në finalen e Pragës është mënyra e vetme që të jenë në arenën ndërkombëtare.
Vincenzo Italiano, trajner i Fiorentinës, u shpreh: “West Ham ka talent dhe kualitet. Janë të fortë fizikisht dhe dinë të luajnë edhe fort kur është e nevojshme. Provojnë gjithmonë të rikuperojnë topin dhe të nisen në kundërsulme. Duhet të jemi të kujdesshëm. Në sfida të tilla, diferencën e bëjnë detajet. Çdo gabim mund të vendosë ndeshjen. Dy finale brenda një sezoni janë arritje e madhe, por tani duam të fitojmë trofeun”.
Ndërsa David Moyes, trajner i West Ham, shprehet: “Fiorentina më ka befasuar për mirë. Do të luajnë finalen e dytë të Kupës dhe kjo tregon shumë për punën që kanë bërë. Janë një kundërshtar i komplikuar, skuadrat italiane janë gjithmonë të vështira. Kemi shumë respekt, por duam të marrim në shtëpi kupën”.
Fiorentina ka shkruar historinë, pasi janë ekipi i parë italian që ka arritur në të katërta finalet e UEFA-s. Por, pasi humbën finalen e Kupës me Interin, vjollcët do të synojë të triumfojnë në Conference League për të përmirësuar edhe ecurinë europiane, ku kanë fituar vetëm një nga katër sfidat për trofeun. (A2 Televizion)