
Një derbi për titullin. Tirana dhe Partizani përgatiten për sfidën që përpos rivalitetit, vlen për objektivat sezonalë. Të kuqtë, që nuk humbasin prej 15 muajsh përballë Tiranës, synojnë të mbeten në garën për titull.
Në sprintin e sezonit, te Partizani ndjejnë se lufta nuk është e barabartë sa i takon respektimit të protokollit sanitar. Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, tha: “Partizani ka një disavantazh. Kur luan jashtë ka tifozë kundërshtarë, si në Laç, në Shkodër dhe në Korçë, ndërkohë që ne e respektojmë protokollin. Në Laç e pamë të gjithë se çfarë ndodhi dhe ajo ishte e turpshme. VIP-at, tifozët e Skënderbeut, ishin gjatë gjithë pjesës së dytë mbështetës të skuadrës kundërshtare dhe këto ndikojnë te lojtarët, të cilët nuk i kanë prej një viti tifozët”.
Me një fitore në derbi, Tirana do të hipotekonte biletën në kupat e Europës dhe pse jo, të shpresojë deri në fund te titulli.
“Është çelësi i objektivit, sepse ngelen edhe 3 ndeshje pas kësaj. Është pika kyçe e sezonit ky derbi”, tha trajneri Orges Shehi.
(A2 Televizion)