Futbolli afrikan gjithmonë ka një problem të madh kur vjen momenti që përfaqësueset të grumbullojnë futbollistët. Ka shumë lojtarë të mirë në dispozicion, por me dy shtetësi, të cilët vendosin të luajnë me përfaqësueset evropiane.
Diçka të tillë ka bërë edhe Claude Makelele. I lindur në Kinshasa, kryeqytetin e Republikës Demokratike të Kongos, ka luajtur me Francën 72 ndeshje gjatë karrierës së tij. Sot, ish-mesfushori i Real Madrid dhe Chelsea, punon si ndihmës në klubin londinez. Por, kohët e fundit është emëruar edhe ambasador i futbollit kongolez. Detyra e tij është që lojtarët me dy shtetësi të mos zgjedhin rrugën që zgjodhi ai, por të luajnë me Republikën Demokratike të Kongos.

Kjo përfaqësuese ka lojtarë të mirë si Gael Kakuta (Lens), Mbemba (Porto), Bakambu apo Bolaisie, por Makelele po kërkon të tjerë futbollistë. Njëri prej tyre është edhe Aaron Wan Bissaka, i Manchester United, i cili ende nuk ka debutuar me Anglinë, por vetëm me U-20 të Anglisë.
Të tjerë janë edhe Jordan Teze i PSV Eindhoven, Maoussa i Rennes, Grady Diangana i West Brom apo Nsoki i Nice.
Makelele do të ketë detyrën që të gjithë këtyre futbollistëve t’u thotë “bëni si them unë, mos bëni si bëra unë”. (A2 Televizion)