“Pas konsolidimit të institucioneve, po shohim rezultatet”, “Drejtësi nuk do të thotë të fusësh ministra në burg”, analistët debatojnë mbi Reformën

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2022, 22:37 | Politikë
“Pas konsolidimit të institucioneve, po shohim rezultatet”,

Debati mbi rezultatet konkrete që po dëshmon Reforma në Drejtësi ndan opinionet e analistëve në ”Absolut 4”.

Sipas Lutfi Dervishit, “sot nuk është votuar reforma, por zgjatja. Po tani si ndodh që vetuesit mos të jenë të vetuar, dhe që mandati i tyre të jetë më i gjatë se këdo tjetër. Kemi mbi 36 mijë dosje në Gjykatën e Lartë dhe në Apel. Shkatërrimi i Gjykatës Kushtetuese, i asaj të Lartë, ka krijuar një situatë pa drejtësi që po bën gjëmën në këtë vend, nga shkatërrimi i pasurisë publike në korrupsionin dhe kanabizimin e vendit. Në cilin vend në botë del kryeministri dhe kërcënon gjyqtarët se nuk kanë mbaruar ende vetingun”.

“Jemi në fazë të konsolidimit të institucioneve, dhe tani mund të shohim rezultatet"

Por ndërkohë, pedagogu dhe analisti Fabian Zhilla mendon disi ndryshe, dhe shprehet më optimist. “Jemi në fazë të konsolidimit të institucioneve, dhe tani mund të shohim rezultatet. Është klima politike që e shet reformën, e kalëron dhe e keqpërdor sipas interesit dhe pastaj e vejnë fajin te trupa gjyqësore ose prokurorët. Ata janë  sot në një traumë psikologjike dhe institucionale, sepse janë marrë me një veting tepër të detajuar dhe ndërkohë duhet të ngrinin një mori institucionesh të reja .

Kam qenë goxha kritik për mënyrën  e implementimit, por sot do te ishte në të mirën tonë që të ishim pozitiv duke mbështetur pjesën e mirë të saj. Për herë të parë kemi konfiskim të sasive të mëdha të parave nga bota e krimit, ish-ministra në burg etj. Mendoj se Gjykata e Posaçme kundër Krimeve të Korrupsionit ka një performancë të mirë dhe po ndihmon SPAK”.

“Drejtësi nuk do të thotë të fusësh ministrat në burg"

Për analistin Dritan Shano, “Reforma deri më tani i ngjan me episodin tonë kombëtar me princ Vidin”. Sipas tij, “Drejtësi nuk do të thotë të fusësh ministrat në burg. Në qoftë se më thuhet se për 5 vjet është mbajtur peng Shqipëria dhe suksesi është futja në burg e negociuar, mos bëjnë shakara. Drejtësia është tek besimi që unë kam që ti nuk do të më dëmtosh, kjo mban bashkë shoqërinë, jo të tundësh arrestimet si lepujt të filmi “Kapidani”.

Ndërkohë, gazetarja Aranita Brahaj e Open Data Albania vuri llupën e saj te niveli i kompetencave të organeve të reja që ka ngritur Reforma në Drejtësi.

https://a2news.com/2022/02/10/shumica-e-te-larguarve-nga-vetingu-per-shkak-te-pasurise-por-asnje-hetim-per-korrupsion-analistet-ndajne-qendrimet-e-tyre-ne-absolut-4/

Sipas Brahaj, “institucionet e reja që po krijohen me një nivel mediokër. Kriteri i karrierës 15-vjeçare bëri që ato zyrtare të bibliotekave të Gjykatës, ata që kanë mbajtur sekretarin,  ose qe janë futur në punë se kushërinjtë e titullarit dhe kanë ndryshuar emrat pas janë martuar, sot janë gjykatës të nivelit të lartë. Sot Gjykata Kushtetuese me zor gjen një magjistrat, atëherë për çfarë duhet t’i gëzohemi këtij institucioni të ri?”.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos