Shumica e të larguarve nga vetingu për shkak të pasurisë, por asnjë hetim për korrupsion

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2022, 22:06 | Politikë
Shumica e të larguarve nga vetingu për shkak të pasurisë,

Pak orë pasi Kuvendi miratoi zgjatjen e afateve të organeve të vetingut, në studion e “Absolut 4” u zhvillua debati për reformën në drejtësi, historikun, zhvillimet dhe situatën aktuale, kur kanë kaluar gati 5 vite nga ky proces, me Aranita Brahajn, Vladimir Karajn, Lutfi Dervishin Afrim Krasniqin, Fabian Zhillën dhe Dritan Shanon.

Shumica dërrmuese e të larguarve nga Vetingu janë për shkak të kriterit të pasurisë, por nuk kanë munguar edhe ato për shkak të mos kryerjes si duhet punën e tyre. Konfirmimi erdhi nga gazetari i Birn, Vladimir Karaj i cili tregoi shembullin e dy prokurorëve të shkarkuar teksa u pyet në studio nga Dritan Shano. Sipas tij shumica e vendimeve kanë qenë të drejta.

“Shumica dërrmuese janë larguar për shkak të kriterit të pasurisë, në të gjitha raste ka pasur probleme deklarim i pamjaftueshëm pasuri të fshehura, konflikt interesi, arsyet kryesore pse janë larguar nga sistemi. Një pjesë mund të jenë ndëshkuar edhe nga fakti që kanë deklaruar gabim. Procesi është goxha i ndërlikuar, shumica dërrmuese e vendimeve  për mua janë të drejta. Shumica e çështjeve ka të bëjë me pasurinë por ka, organet e vetingut nuk gjykojnë vendimet e gjykatave, pasi këto shqyrtohen nga një gjykatë më e lartë, por ka pasur disa vendime për dy prokurorë që janë shkarkuar për shkak se nuk kishin bërë si duhet punën e tyre, pasi është dhënë në arsyetim se kishin viktimizuar dyfish viktimën”.

Shano: Evazion fiskal dhe jo reformë në drejtësi

Shkarkimet për çështje të pasurisë, ekonomisti Dritan Shano i cilësoi evazion fiskal dhe jo reformë në drejtësi. Sipas tij ata nuk janë dënuar por vazhdojnë të shijojnë paratë e tyre, ndërsa miratimi i sotëm i zgjatjes së afateve është për shkak të presionit ndërkombëtar.

“Ky është evazion fiskal, jo reformë në drejtësi. Nuk bie dakord për sukses. Nuk kemi dënim të keqbërësit, të këtyre njerëzve që janë përjashtuar që vazhdojnë lirshëm të shpenzojnë paratë e tyre. Kjo e bënë këtë përpjekje 5-vjeçare një negociatë për këtë pushtet. Gjithçka ndodh me negociatën për drejtësi është e pilotuar nga një mazhorancë që kemi prej shumë kohe. Votimi i sotëm nuk është organik, por për shkak të presionit të ndërkombëtarëve. Kjo po shtyhet ka kaluar 5 vjet, është një gjendje”.

Brahaj: Prisja një proces penal ku të goditeshin të korruptuarit dhe jo proces vlerësimi. Do ketë pasoja të rënda

Për Aranita Brahajn e Open Data Albania, ky duhet të ishte një proces penal ku të goditeshin të korruptuarit dhe jo proces vlerësimi. Sipas saj kjo do të sjellë pasoja shumë të rënda për të gjitha pushtetet në vendin tonë.

“Unë kam qenë ndër skeptiket e reformës në drejtësi, se ai që është i korruptuar duhet të përballet me proces penal dhe jo proces vlerësimi. Të bësh një vetim ndërkohë që ke një mazhorancë është me risk që kontrollon sistemin. Prisja një proces penal ku të goditeshin të korruptuarit, por nuk pati asnjë goditje për korrupsion apo sekuestrim të pasurive. Unë mendoj që reforma ishte ishte ide e mirë, por nuk kishte ekspertizë të mirë dhe mendoj që do të ketë pasoja shumë të rënda për të gjitha pushtetet në vendin tonë. Ka pasur gjithnjë përpjekje për të krijuar vitin zero”.

Krasniqi: Reformë mesatarisht e suksesshme, jo e dështuar

 Analisti Afrim Krasniqi nuk e konsideron të dështuar reformën në drejtësi, por zgjedh termin mesatarisht e suksesshme. Sipas tij kjo është një reformë eksperimentuese e SHBA-së dhe BE-së.

“Është e pamundur të bësh një reformë të thellë e horizontale me maksimumin e mundshëm të pritshmërive në një vend që nuk është shquar për reforma. Është reformë e SHBA dhe BE në Shqipëri ata e kanë quajtur eksperiment dhe si çdo eksperiment është reformë mesatarisht  e suksesshme, por jo e dështuar. KPK ka qenë një ndër strukturat më të dështuara dhe pothuaj të gjitha vendimet 3 me zero kanë qenë të sakta, kurse ata me dy vota janë të interpretueshme. Duhet të presim përfundimin e vetingut nëse është ndjekur një standard.”

Dervishi: Vetingu ka shkarkuar edhe ata që duhet të qëndronin

Kurse Lutfi Dervishi ka shpjeguar përmes metaforës vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve që sipas tij mes të shkarkuarve ikën dhe ata që nuk duhet të iknin. Sipas tij është krijuar mendimi që nuk ka drejtësi në këtë vend dhe kjo i ka lënë vend krimit, kanabizimit dhe shkatërrim it të pasurive publike.

“Nëse e quajmë sukses është mirë që të mos përsëritet, i ngjan një operacioni të rëndë dhe të vështirë, ku pacienti sapo është ngritur, apo si një pemë e mbushur me mollë të kalbura. Reforma  synoi të shkundte mollët e kalbura, ranë edhe ca mollë të mira që Shqipëria nuk ka luksin ta ketë dhe u tund aq shumë që e nxorën nga rrënjët. Kishte dy rrugë për ta bërë; ne zgjodhëm rrugën e  tretë. E para brenda gjyqësorit, e dyta politika, e treta u bë nga ndërkombëtarët. U shkua në ekstrem në historinë e pasurive. Vetuesit vetë nuk janë të vetuar. Ka krijuar një situatë që këtu s’ka drejtësi dhe është bërë gjëma në këtë vend kanabizimi, krimi, shkatërrimi i pasurive publike se është menduar që s’ka drejtësi”.

Zhilla: Reforma në drejtësi duhet të shoqërohet edhe me reformën zgjedhore

Për analistin Fabian Zhilla reforma në drejtësi duhet të shoqërohet edhe me reformën zgjedhore për të krijuar mundësinë e ndryshimit të elitës politike.

Reforma në drejtësi duhet të shoqërohet edhe me reforma të tjera. Nëse reforma në drejtësi nuk do shoqërohet me reformën zgjedhore që i krijon mundësi zgjedhësve për të ndryshuar elitën politike do të jetë e vështirë për të zbatuar çdo lloj ligji, por ne kemi shpërfaqur disa probleme të reformës që ishin kriteret e proklamuara si standarde ndërkombëtare, u synua që të ndryshonim sistemin, por sistemi nuk mund të ndryshohet me njerëzit e sistemit dhe ky do të ishte problemi dhe ky ishte një ndër ata. Dhe dështimi është se kush zgjedh për të drejtuar institucionet. Problem është edhe mos parashikimi i tranzicionit. Duhej një analizë përtej asaj teknike duke marrë parasysh dhe nëse ne zbatojmë këtë kriter do të ketë një masë të konsiderueshme që do të dalë nga institucion, nuk u mor parasysh kriteri profesional”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos