Tre persona janë vënë në pranga gjatë mbrëmjes në Tiranë, pasi forcat “Shqiponja” ndaluan automjetin me të cilin ata udhëtonin.
Tre të rinjtë u ndaluan në kuadër të operacionit "White", për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.
Kjo pasi njërit prej tyre, që lëvizte si pasagjer në mjet, i është gjetur në brez një armë zjarri e llojit pistoletë. Policia ndërkohë ka çuar pas hekurave edhe shoferin e makinës dhe pasagjerin tjetër, nën akuzën për “moskallëzim krimi”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve:
- E. T., 31 vjeç, M. M., 35 vjeç, dhe N. S., 31 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë operacionit, në rrugën “Shefqet Kuka”, shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja" kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin E. T., dhe pasagjerë shtetasit M. M., dhe N. S.
Gjatë kontrollit fizik të shtetasit M. M., shërbimet e Policisë i gjetën një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa shtetasit E. T., dhe N. S., kanë pasur dijeni dhe nuk kanë kallëzuar krimin. (A2 Televizion)
Njoftimi i policisë