Pasojat e Covid-19: Shtohen pacientët me diabet, edhe zemra e riskuar

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2021, 16:22 | Aktualitet
Pasojat e Covid-19: Shtohen pacientët me diabet, edhe zemra e riskuar

Vëmendja e autoriteteve shëndetësore është përqendruar te frenimi i përhapjes së pandemisë covid-19, por në të njëjtën kohë, sëmundje të tjera po bëhen edhe më kërcënuese për qytetarët. Zemra, tumoret, diabeti, por dhe sëmundje të tjera të brendshme po marrin shumë jetë njerëzish çdo vit, e madje disafish më shumë se Covid-19.

Sëmundjet kardiovaskulare zunë 52,2 për qind të vdekjeve për vitin 2020, duke marrë jetën e mbi 14 mijë e 400 qytetarëve. Mjekët kardiologë thonë se numri i vizitave nuk ka rënë, madje ka rrezik të shtuar për ata që preken edhe nga Covid-19.

“Nuk kemi ulje të vizitave sepse është vetë natyra e sëmundjes që nuk ta lejon neglizhencën. Të prekurit nga Covid kanë çrregullime të ritmit të tensionit, si dhe potencial për infarkte”, thotë mjeku Benard Shehu.

Ndryshe nga pacientët e sëmurë nga zemra, ata të prekur nga diabeti nuk u paraqitën te mjeku për konsulta, duke ulur ndjeshëm zbulueshmërinë, për rrjedhojë dhe shtrimet në spital.

 “Në vitin 2020 1/3 e pacientëve kërkoi konsultë mjekësore, në 2021 është përmirësuar, por nuk jemi në numrin e vizitave që kishim, po ashtu ka rënë ndjeshëm numri i shtrimeve pasi ka rënë gjurmueshmëria e sëmundjes”, shprehet mjeku Florian Toti.

Deri më tani, janë raportuar si pozitiv nga koronavirusi mbi 200 mijë persona, nga të cilët pati dhe qytetarë të shëndetshëm që kaluan Covidin, por morën pas diabetin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos