
Juristi Besnik Muçi, ish-anëtar i Komitetit të Moneyval, në studion e “Absolut 4” në A2 CNN, zbuloi se vendet mike kanë këmbëngulur që Shqipëria të futej në listën gri, 3 vite më parë, listë në të cilën mbeti edhe në raportin e fundit për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit.
“Moneyval monitoron vazhdimisht dhe bën raporte. Fillimisht, raportet ishin çdo 3 apo 4 vjet. Në vitin 2015 dolëm nga lista gri. Gjatë vitit 2018, vendet që i quajmë mike kanë këmbëngulur që të rifutemi në listën gri. Sipas informacioneve të mia, përfaqësuesi amerikan ka kërkuar që të mos kalojë raporti, pasi vendi ynë ka problem thelbësor pastrimin e parave”, deklaroi Muçi.
“Ekspertët e Moneyval monitorojnë në detaje zbatimin e rekomandimeve dhe rënia e nivelit të zbatimit të sjell në këtë pikë ku jemi ne. Ekonomia informale rrit pastrimin e parave dhe anasjellas. Është një rreth vicioz”, shtoi juristi Besnik Muçi. (A2 Televizion)