Pasurimi i uraniumit, Gjermania, thirrje Iranit: Rikthejuni paktit bërthamor

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2019, 14:49 | Bota
Pasurimi i uraniumit, Gjermania, thirrje Iranit: Rikthejuni paktit

Gjermania kritikon rinisjen e pasurimit te uraniumit nga Irani dhe kërkon respektimin e paktit bërthamor.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha se Teherani po vë në rrezik të gjithë ujdinë ndërkombëtare. Gjermania kritikon rinisjen e pasurimit të uraniumit nga Irani dhe kërkon respektimin e paktit bërthamor.

“Jemi në dijeninë njoftimit të Iranit për përdorimin e të ashtuquajturve centrifuga moderne dhe kjo nuk është diçka e re. Kjo është një përmbushje e asaj që u njoftua në fillim të shtatorit, që nuk është në përputhje me akordin bërthamor. Ne e shohim këtë si diçka të papranueshme. Irani po vendos të gjithë marrëveshjen nukleare në rrezik, prandaj ne presim që Irani t’i rikthehet respektimit të ujdisë”.

Më herët, Presidenti i Iranit Hassan Rouhani, tha gjatë një fjalimi të transmetuar nga televizioni shtetëror se do të rinisë me pasurimin e uraniumit në impjantin Fordoë. Ai urdhëroi autoritetet që të nisin me injektimin e gazit në mbi 1 mijë centrifugat e impiantit të pasurimit të uraniumit.

“Sigurisht, për këtë hap të ri, do të njoftojmë të gjitha shtetet pjesëmarrëse të ujdisë bërthamore si dhe vendet mike. Aktiviteti i ri do të bëhet nën vëzhgimin e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike të OKB-së”, u shpreh presidenti Rouhani. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2019/11/05/pakti-berthamor-ne-rrezik-presidenti-iranian-rinisim-pasurimin-e-uraniumit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos