“Patronazhimi” i votuesve, Strasburgu "rrëzon" SPAK-un për "Lapsin". TI: Të hetohet Partia Socialiste

Nga A2 CNN
22 Prill 2021, 20:28 | Politikë
“Patronazhimi” i votuesve, Strasburgu "rrëzon"

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg urdhëron Shqipërinë të mos zbatojë vendimin e Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e pajisjeve elektronike dhe serverit të portalit “lapsi.al”.

Bllokimi i pajisjeve u kërkua nga SPAK për llogari të hetimit të nisur pas denoncimit nga lapsi.al i vjedhjes së të dhënave personale të 910 mijë votuesve nga e-Albania, që, sipas portalit, ishte bërë nga Partia Socialiste.

Vendimi i Strasburgut është një masë sigurie e përkohshme, e marrë pas ankimit të bërë në këtë gjykatë nga gazetarët Armand Shkullaku dhe Andi Bushati. Vendimarrja që “ngrin” zbatimin e urdhrit të Gjykatës së Posaçme iu bë me dije avokatit të aplikantëve, Dorian Matllia, përmes postës elektronike.

Në letrën informuese thuhej se më 21 prill, gjykata vendosi t’i tregojë qeverisë shqiptare se autoritetet duhet të ndalojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të 18 prillit, vendimi që urdhëronte sekuestrimin e kompjuterave, telefonëve dhe serverit të portalit të denoncuesve, që nuk i treguan burimin hetuesve.

Nga ana tjetër, përmes një reagimi zyrtar, Transparency International i ka bërë thirrje SPAK-ut, që të hetojë nëse partia në pushtet i ka marrë të dhënat personale votuesve në Tiranë nga regjistrat qeveritare. “Dështimi për të hetuar dhe sanksionuar në mënyrë adekuate shkeljet do të hedhë hije mbi drejtësinë e zgjedhjeve të ardhshme”, tha Daniel Erikson, kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Transparency International. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos