Genci Kojdheli, jurist, ishte i ftuar në A2 nga ku komentoi të dhënat e dala deri tani nga numërimi i votave nga të cilat PS-ja projektohet të marrë 74 mandate.
Për këtë rezultat, ai vlerësoi strukturat e PS-së, duke dhënë se ato janë moderne dhe janë të ngjashme me partitë në Europë.
“Të qeverisësh nuk është e lehtë, sidomos të qeverisësh në dy mandate njëri pas tjetrit dhe të pretendosh një të tretë, për të thyer edhe trendin. Pushteti ka konsum, ka problemet e veta. Njerëzit lodhen, mund të pretendojnë një transformim të pushtetit. Nga ana tjetër, njerëzit dinë të gjykojnë në nivel makro dhe mikro, çfarë është bërë dhe sa nga premtimet e qeverisë janë kryer dhe cila është oferta nga ana tjetër. Unë besoj se politika dhe qeverisja është maksimizimi i grisë, nuk është asnjëherë bardhezi. Elektorati thirret të gjykojë se kush është grija më e mirë. Bilanci i premtimeve besoj se e ka ndihmuar PS-në. Kjo tregohet te fakti se PS-ja thuajse ka ruajtur në kokë mesataren e votat që ka marrë para 4 viteve. Kjo tregon se baza e elektoratit socialist vazhdon të jetë e bindur dhe një pjesë tjetër e elektoratit... kemi parë një humbje shumë të madhe nga disa parti, ku pjesa më e madhe është zhvendosur te PD-ja dhe një tjetër pjesë është zhvendosur drejt folesë, PS-së.
PS-ja është një parti moderne, në terma të organizimit. Përtej pretendimeve dhe problematikave për përdorimin e të dhënave personale, për të cilat unë shpresoj që shumë shpejt të flasë drejtësia, të mos harrojnë se PS-ja ka mbledhur të dhëna në mënyrë të ligjshme. Struktura e PS-së për të menaxhuar të dhënat është një strukturë që e ka çdo parti moderne në botë”. (A2 Televizion)