Përfundon numërimi në Berat, LSI nuk mori asnjë mandat, reagon Maliqi: Blerje masive e votës

Nga A2 CNN
27 Prill 2021, 12:38 | Politikë
Përfundon numërimi në Berat, LSI nuk mori asnjë mandat,

Ka përfunduar rreth orës 12:20 procesi i numërimit të votave për subjektet politike në qarkun e Beratit.

Në bazë të rezultateve në 277 qendra votimi, Partia Socialiste ka marrë 42 355 vota, Partia Demokratike 23 038 vota dhe LSI 8394 vota. Përkthyer në mandate PS mori 5, PD 2 dhe LSI nuk mori asnjë mandat.

Pas këtij rezultati, ka reaguar sërish kandidati i LSI-së, Lefter Maliqi. Përmes një postimi ai shprehet se ka pasur blerje masive të votave, por do të vazhdojë t’ju shërbejë qytetarëve edhe pa mandat.

“Ndihem i privilegjuar që ju kam shërbyer dhe do do t’ju shërbej, edhe pa mandat, por ashtu siç kam bërë gjithmonë, si njëri nga ju që do jem aty kur të keni nevojë.

E vërteta është e mirëkamufluar, por unë e di që kemi të bëjmë me një blerje masive të votave, mirorganizim me kornizë mafioze, ndaj dhe u prodhua ky rezultat.

Këto zgjedhje nuk mund të jenë normale dhe të pranueshme për një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Evropian.

Gjithsesi, unë pas humbjes ringrihem edhe më fort, e kam dëshmuar në kohë edhe më të vështira se këto, ndaj do të jem me ju në çdo sfidë që na pret.

Respekt dhe mirënjohje të thellë për beratasit e mi, në çdo rrugë, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo qytet të qarkut”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos