Megjithëse gjenden më në nevojës se kurrë, qeveria po jep më pak për pjesën më të brishtë të popullatës. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në 5 muajt e parë të vitit për familjet që marrin ndihmë ekonomike u shpenzuan 9,4 miliardë lekë, 300 milionë më pak se vitin e shkuar.
“Mos harroni, vitin e kaluar kishim zgjedhje dhe qeveria ka përdorur mekanizmin e ndihmës ekonomike, si levë për të blerë vota. Nuk i besoj shumë këtij krahasimi, pra rënies, por i besoj faktit që kostoja e jetesës së qytetarëve në raport me ndihmën ekonomike të disbursuar, është shumë më e lartë”, thotë Sherefedin Shehu, ekspert për ekonominë.
Ndërkohë, sipas përllogaritjeve mbi të dhënat e Institutit të Statistikave, një qytetar sot po paguan rreth 6 mijë e 300 lekë më shumë se një vit më parë, si pasojë kryesisht e shtrenjtimit të ushqimeve dhe transportit.

“Po të kemi parasysh normat e inflacionit të kësaj periudhe dhe faktin që ju përmendët që ndihma ekonomike, jo vetëm nuk është rritur, por është akoma më e ulët, tregon që gjithë barra e rritjes së çmimeve ka rënë te qytetarët”, thotë Shehu.
Banka Botërore ka përllogaritur se që një njeri të jetojë duke përmbushur nevojat më minimale duhet të shpenzojë 5,5 dollarë në ditë, por në Shqipëri rreth 30 për qind e popullsisë jetojnë nën këtë kufi. (A2 Televizion)