Nuk është vetëm Zalewski në dalje! Pas shitjes së mbrojtësit të majtë te Atalanta, Interi po punon për një transferim tjetër. Bëhet fjalë për mefushorin e kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani.
Bologna ka treguar interes rishtazi për mesfushorin kuqezi, i cili ka qenë zyrtarisht në treg që nga fillimi i korrikut, duke tejkaluar kështu Torinon. Klubi emilian ka një interes të fortë për lojtarin dhe është gati të ulet për të negociuar me Interin.
Zikaltërit e vlerësojnë ish-lojtarin e Empolit jo më pak se 15 milionë euro dhe po shqyrtojnë një transferim të përhershëm ose, si alternativë, një huazim me detyrim blerjeje.
Diferenca me Bolonjën nuk ka të bëjë aq shumë me vlerësimin e lojtarit sesa me kushtet: oferta që klubi emilian thuhet se është përgatitur të paraqesë nuk shkon përtej një huazimi me mundësi blerjeje.
Megjithatë, marrëveshja është me interes për të dy klubet dhe diskutimet pritet të fillojnë deri në fillim të javës, me një shans të mirë për të arritur një marrëveshje.
Është e mundur, siç ndodhi, për shembull, në negociatat me Cagliarin për Sebastiano Espositon, që Bolonja të sigurojë një zbritje në çmimin e lojtarit në këmbim të një përqindjeje në rast të një rishitjeje në të ardhmen. (A2 Televizion)