
Partia Demokratike ka akuzuar sot anëtarët e Partisë Socialiste për bojkot të Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmet Bardhi, shprehet se kjo është dëshmi e e papërgjegjshmërisë së anëtarëve socialistë në raport me interesin e qytetarëve.
“Edhe pse kërkuan vetë që mbledhja e Komisionit të vijonte në datën 20, sot zgjodhën bojkotin. Është e qartë që ato që vodhën zgjedhjet, përdorën krimin dhe paratë e korrupsionit për të blerë vota, që përdorën shtetin në zgjedhje, nuk kanë interes për të faktuar masakrën zgjedhore. Opozitën nuk e pengojnë dot në ushtrimin e të drejtave dhe përgjegjësive të saj për hetimin parlamentar të masakrës zgjedhore të 25 prillit”, shkruan Bardhi në rrjetet sociale.
Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi nga selia rozë, ku shpjegon edhe arsyen e këtij bojkoti. Sipas PS-së, kryetari i Komisionit duhet të njoftojë 24 orë përpara.
“Kryetari është i detyruar të njoftojë 24 orë përpara”.
Më herët, edhe Petrit Vasili e ka cilësuar bojkotin një turp të Rilindjes me qëllim zvarritjen e zbardhjes së zgjedhjeve të 25 prillit.
“Çfarë turpi! Rilindja bojkoton pa asnjë shkak e arsye mbledhjen e Komisionit Hetimor për zbardhjen e zgjedhjeve të 25 prillit! Mbledhjen e kërkuan po vetë për sot më 20 tetor! Pengojnë dhe zvarritin me çdo mjet zbardhjen e 25 prillit. Kanë shumë frikë nga e vërteta!”
Ndërkaq, kreu i Komisionit Hetimor, Enkelejd Alibeja, ngarkoi Sekretariatin Teknik të këtij komisioni të njoftojë anëtarët se mbledhja e ardhshme e komisionit hetimor do të zhvillohet me datën 22 tetor 2021, ora 10:00. (A2 Televizion)