
Në konferencën e dorëzimit të progres-raportit të Komisionit Europain, kryeministri Rama u shfaq i gatshëm për të dëgjuar opozitën, por pa dhënë komente për amendamentet e propozuara prej saj. Për sa i përket raportit, kreu i qeverisë u shpreh se konfirmohet dhe njëherë rrugëtimi pozitiv i Shqipërisë, ndërsa kundërshtoi qëndrimin e Komisionit për lirinë e medias.
Ulja në tryezën e dialogut është shumë e rëndësishme për kryeministrin Rama, i cili mendimet e tij i nuk i bën të ditura për të mos cenuar te ndërkombëtarët imazhin e palëve që flasin me njëri-tjetrin.
“Kemi dhënë disponim total për të diskutuar në mënyrë serioze, për këtë arsye do të më ndjeni të mos jap opinione. Cilësia e një bashkëjetese nuk përcaktohet nga sa shpesh biem dakord, por nga mënyra si nuk biem dakord”.
Diskutimet politike të sugjeruara nga progres-raporti, morën edhe mbështetjen e ambasadorit Soreca.
“Kuvendi është foltorja ku bëhen diskutimet, dialogu e negociatat duhet të ndodhin. Inkurajojmë palët të ulen në tryezë dhe nëse do të na kërkohet për asistencë do të jemi të gatshëm të ndihmojmë në spektrin politk si gjithmonë”.
Ajo çka nuk mori mbështetjen e kryeministrit ishte konstatimi i raportit mbi lirinë e medias, ku deklarohej se gazetarët vijojnë të jenë të intimiduar në punën e tyre.
“Unë nuk jam dakord as me atë që thotë raporti, as me idenë që këtu liria e medias është në pikëpyetje. Për progres-raportin e 2021 nuk kam dhënë ndonjë kontribut duke kthyer përgjigje siç unë i mendoj”.
I pyetur mbi planin e qeverisë për Agjencinë e Medias, Soreca deklaroi se përgjigjja mund të gjendet në raport, e ngulmoi që medias t’i lihet akses në aktivitetet e qeverisë.
“Medias duhet t’ i jepet akses në aktivietet e qeverisë, që e lejon median të kryejë detyrën e saj që është thelbësore për demokracinë gjithandej, përfshirë edhe Shqipërinë”.
E pavarësisht kësaj, kryeministri u shpreh i vendosur për të vijuar punën me krijimin e agjencisë.
“Është e kundërta e asaj që thoni ju. Është një mekanizëm për të garantuar transparencën maksimale në raport me ju”.
Para amabasadorit Soreca, kryeminsitri dha fjalën se do të tërhiqet nga qëndrimi i tij për agjencinë, nëse ajo del nga funksioni për të cilën është iniciuar. (A2 Televizion)