Krasniqi: Rama i dha personalizim ekstrem fushatës, duke e bërë inaktive
Është mbyllur sot fushata zgjedhore në vendin tonë. Kryeministri Edi Rama zgjodhi ta mbyllë edhe këtë herë në Vlorë, në qarkun ku sërish kandidon edhe vetë, ndërsa lëshoi akuza ndaj presidentit Meta. Kurse kreu demokrat Lulzim Basha e mbylli fushatën në Tiranë, duke përcjellë mesazhin e fitores së opozitës. I gjithë rrugëtimi një mujor i kësaj fushate zgjedhore është komentuar në studion e A2 CNN me analistët Afrim Krasniqi, Gjergji Vurmo, Lutfi Dervishi dhe Blendi Salaj.
Në këndvështrimin e analistit Krasniqi, kryeministri Edi Rama i dha personalizim ekstrem fushatës duke e bërë atë inaktive. Sipas tij më shumë kishte karrige se debat elektoral për të bindur votuesit. (për më shumë)
Mbyllja e fushatës, Salaj: Nuk pati plane fushate. Politika jonë është zhgënjyese
Një betejë personalitetesh dhe ka konsideruar gazetari i A2 CNN Blendi Salaj fushatën zgjedhore në vendin tonë. I ftuar në “Absolut 4”, ai tha se politika ka treguar që është në rrafsh zhgënjyes dhe pa plane fushate.
“Unë e pres që të ketë personalizim. Kjo është betejë personalitetesh. Në fund fare do vendosësh për atë që të pëlqen më shumë. Unë nuk pres plane fushata, kjo është një gjë e vjetër. Nuk pati plane fushate. Çfarë ishte për të thënë u tha. Kemi disa premtime të atyre, por politika jonë ka treguar që është në rrafsh zhgënjyes”. (për më shumë)
Dervishi: Java e fundit, më e dobëta e fushatës. Ka patur strategji të qartë për të shmangur debatet
Mesazhet e liderëve në përmbyllje të fushatës u komentuan në Absolut 4 edhe nga analisti Lutfi Dervishi.
Sipas tij, mesazhet e sotme janë edhe ato qendrore të fushatës. “Nëse PD i ngulmon kryefjalës ndryshim, PS është në mbrojtje dhe ka si kryefjalë rikthimin. Mbyllja e fushatës ishte si fillimi, edhe për PS kundërshtari kryesor është LSI, PD nuk ndryshon shumë në mënyrën e daljes ne kryeqytet, nuk ishte shume e zgjuar dalja me makina, aty ku mund të kishte pasur më shumë njerëz”. (për më shumë)
Fushata zgjedhore, Vurmo: E varfër në mesazhe. Ne si votues duhet të kërkonim më shumë llogari
Një fushatë e varfër nga pikëpamja e mesazheve, ka qenë fushata zgjedhore sipas këndvështrimit të analistit Gjergji Vurmo. Në studion e “Absolut 4” ai thotë se kjo fushatë nuk solli asgjë të re dhe nga pikëpamja e sjelljes së aktorëve politikë mund të zhgënjehen baza dhe militantët, apo ata që do të dalin në votime.
“Nuk pritet ndonjë mesazh përmbajtësor apo problematik, asgjë e re edhe në këtë kuptim mbase edhe influencuar nga situata e kovidit dhe kulmon në fund me një miting të madh dhe me mesazhe dhe elementë të show-t nuk i vura re në atë dritë që janë shfaqur në fushata të tjera. Nga pikëpamja e mesazheve druaj se ka qenë një fushatë e varfër, nga pikëpamja e sjelljes së aktorëve politikë, të cilët operojnë në një kontekst social e shoqëror dhe nëse ne vërejmë sjellje të caktuara të liderëve apo eksponentëve partiakë duhet të nënvizojmë faktin që baza dhe militantët, apo ata që do të dalin në votime mund të zhgënjehen”. (për më shumë)
Ngjarja e Elbasanit, Dervishi: Nuk u trembën qytetarët, por policia
Gazetari Lutfi Dervishi, në një lidhje direkte me studion e “Absolut 4”, komentoi ngjarjen në Elbasan, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën 4 të tjerë.
“Në Elbasan nuk u trembën qytetarët, por policia. Është rast i rrallë që të ndodhë krimi në prezencë të policisë dhe policia të mos thotë dot se çfarë ndodhi. Strukturat e mbrojtjes së votës kanë qenë edhe në 2013 dhe kjo tregon se këto zgjedhje nuk e kalojnë testin e zgjedhjeve normale. Është e papranueshme që në vitin 2021 të humbësh jetën në fushatë elektorale. Nuk ka logjikë që t’i justifikojë”, u shpreh Dervishi. (për më shumë)
Replika Kim-Meta në distancë, Krasniqi: Keqardhje, presidenti nuk po ushtron detyrën e vet
Replikë në distancë mes ambasadore amerikanë në vendin tonë Yuri Kim dhe presidentit Ilir Meta. Kryediplomatja amerikane ka dënuar deklaratën e presidenti ku thoshte të mprehim sfurqet dhe sëpatat në mbrojtje të votës. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të shtetit ku e akuzon ambasadoren se po mban anën e Edi Ramës.
Për analistin Afrim Krasniqi presidenti nuk po ushtron funksionin e tij dhe shpreh keqardhjen për deklaratat e kreut të shtetit, pasi nuk i shërbejnë situatës zgjedhore, në një kohë që ambasadorja ka luajtur rol pozitiv gjatë fushatës, pasi ka bërë ato detyra që duhet të bënte presidenti. (për më shumë)
Përplasja Kim-Meta, Salaj: Presidenti po dëmton kauzën opozitare
Gazetari i A2, Blendi Salaj, komentoi në Absolut 4 “përplasjen” në distancë mes ambasadores amerikane Yuri Kim dhe Presidentit Ilir Meta.
“Mua nuk ma merr mendja që ambasadorja t’i ketë kërkuar një favor zotit Meta, në emër të Edi Ramës. Nuk ka fare kuptim që ambasadorja ta bënte këtë. Për mua, ajo që thotë zoti Meta është e dyshimtë. Presidenti shihet i tensionuar dhe i nervozuar. Gjërat që ai thotë, herë bëjnë sens, herë nuk bëjnë sens. Zoti Meta e ka tejkaluar cakun e të qënit President, duhet të ishte President i të gjithëve, mos të ishte i investuar kaq shumë në këto zgjedhje. Mendoj që me këtë ka dëmtuar edhe kauzën e opozitës. Zoti Rama vazhdimisht i ka “paketuar” bashkë Lulzim Bashën, Ilir Metën, Monika Kryemadhin dhe Sali Berishën sepse ai e di që elektorati gri nuk i do këto personazhe, siç nuk do edhe Edi Ramën. Këto përplasje kam përshtypjen që në këto momente dëmtojnë kauzën e Lulzim Bashës”, deklaroi Salaj. (për më shumë)
Reagimi i Metës ndaj ambasadores Kim, analistët: Keqardhje, fushata rrezikon të kthehet në vitet ‘90
Presidenti Ilir Meta ka reaguar në mënyrë të ashpër ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim, që e ftonte të mos përdorte më terma që ngrenë tensionin para zgjedhjeve.
Sipas Lutfi Dervishit, i ftuar në Absolut 4, “Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë asnjë interes përtej një procesi të rregullt ku zëri dhe vota e njerëzve të dëgjohet dhe numërohet. Roli i marrë nga ambasada amerikane tregon dobësinë e institucioneve tona. Përplasja me ambasadën e SHBA nuk është e ere në 30 vjet, por qëndrimi ka qenë konstant, një vend që e futi Shqipërinë me zor në NATO dhe tani po e shtyn drejt BE-së”. Sipas tij “në kodin e komunikimit, edhe armikut nuk i thuhen disa gjera, jo më dikujt që e ke aleat.
Ndërkohë Gjergji Vurmo deklaroi se “deri në ngjarjet e ditës së pardjeshme, zgjedhjet kishin arritur standardin e vitit 2005, por kjo replikë midis Metës dhe ambasadores rrezikon ta çojë atë në vitet ’90 , ku SHBA u shpall si një armik i jashtëm”. (për më shumë)
(A2 Televizion)