Replikë në distancë mes ambasadore amerikanë në vendin tonë Yuri Kim dhe presidentit Ilir Meta. Kryediplomatja amerikane ka dënuar deklaratën e presidenti ku thoshte të mprehim sfurqet dhe sëpatat në mbrojtje të votës. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të shtetit ku e akuzon ambasadoren se po mban anën e Edi Ramës.
Për analistin Afrim Krasniqi presidenti nuk po ushtron funksionin e tij dhe shpreh keqardhjen për deklaratat e kreut të shtetit, pasi nuk i shërbejnë situatës zgjedhore, në një kohë që ambasadorja ka luajtur rol pozitiv gjatë fushatës, pasi ka bërë ato detyra që duhet të bënte presidenti.
“Meta kur është zgjedhur president tha që nuk jam i gëzuar që jam zgjedhur president dhe tani e kuptojmë se nuk po ushtron asnjë ditë funksionin e presidentit. Dhe konflikti verbal me ambasadoren duke nxjerrë edhe biseda nuk i shërben klimës zgjedhore, dhe as sjelljes institucionale. Nëse ka njeri që po luan rol pozitiv në këtë fushatë zgjedhore ka qenë ambasadorja amerikane duke kaluar edhe rregullat e komunikimit publik duke i bërë thirrje edhe KQZ e institucioneve të reagojnë. Ka luajtur rol pozitiv në këtë fushatë zgjedhore, këto gjëra që duhet t’i kishte bërë presidenti i Republikës. Nuk kam koment, është keqardhje”. (A2 Televizion)