
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, tha para gazetarëve, pasi votoi në Parlament për çështjen e zgjatjes së afatit të institucioneve të vetingut, se Partia Demokratike ndryshoi qëndrim brenda një ore.
“PD-ja nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje, nuk ka bërë oponencë dhe të bën të dyshosh se si kjo parti ndryshoi për një orë, nga kundër në pro. Do t’i bëja thirrje të gjithëve që të shkëputemi një herë e përgjithmonë nga shitja e votës së qytetarëve për interesa personale. Nëse ka probleme me drejtësinë, me prokurorin belg, apo me drejtësinë amerikane, nuk mendoj që vota e deputetëve në Parlament duhet të ndryshojë brenda një ore”, tha Kryemadhi.
“LSI ka marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e Komisionit të Ligjeve dhe ka bërë oponencën e saj për të gjithë procesin e shtyrjes së afateve të vetingut dhe ju kujtoj që në janar-shkurt 2018, LSI ka paraqitur në Kuvend një paketë ndryshimesh kushtetuese, ku pjesë kryesore ishte edhe kjo që po votohet sot në Parlament. Lë shumë për të dëshiruar mënyra se si po kalojmë sot në këtë proces”, shtoi kryetarja e LSI-së.
Kryemadhi theksoi se vendimi i saj ka qenë për abstenim, pasi “duam një analizë të thellë se çfarë ka ndodhur me Reformën në Drejtësi”. (A2 Televizion)